Politikani britanik Nigel Farage ka nisur një sulm të ashpër ndaj kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama. Në një deklaratë të bërë mbrëmë në median “GBNews“, Farange duket se nuk e ka pritur mirë intervistën e Ramës për median “The Guardian”, ku kreu i qeverisë tha edhe njëherë “jo” për ndërtimin e një qendre azilantësh në Shqipëri nga Anglia. Ndaj, edhe reagimi i politikanit britanik ishte tejet i ashpër.
“1 në 50 shqiptarë në Britani janë në burg, ejani dhe merrni kriminelët tuaj mbrapsht,”-tha ai.
Por nuk u ndal me kaq! Nigel Farage akuzoi Ramën për hipokrizi, duke iu referuar negociatave të vetë Shqipërisë për të pranuar emigrantë nga vende të tjera, më konkretisht nga Italia, duke iu referuar kampit të Gjadërit.
“Si mund të na kritikojë kur kaloi muaj të tërë duke negociuar me kryeministren e Italisë, Giorgia Meloni.Ai kishte rënë dakord të merrte një numër të madh të emigrantëve të tyre që do të kalonin Mesdheun. Por nuk veproi kështu. Bëri negociata. Po ju them diçka, z. Rama, a e dinit se një në 50 shqiptarë në Britani janë në burg? Pra, tregoni pak vullnet të mirë dhe merrini të gjithë nesër, sepse kjo është hipokrizi.”
Komentet e Ramës për “The Guardian” u publikuan nga media britanike afërsisht një muaj pasi homologu britanik, kryeministri Sir Keir Starmer vizitoi kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranën, për të diskutuar krijimin e “qendrave të kthimit” për azilkërkuesit që u refuzohet qëndrimi në Britaninë e Madhe. E gjitha kjo sipas Starmer do të ishte pjesë e përpjekjeve për të trajtuar kalimet me anije të vogla në Kanalin Anglez.