Kryetari i Bashkisë së Himarës, Vangjel Tavo, ka vizituar në spitalin e Athinës kryepeshkopin e Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, Anastas Janullatos. Tavo i ka uruar shërim të shpejtë kryepeshkopit, i cili prej më shumë se 2 javësh është i shtruar në spital.
“Sot zhvillova një vizitë në Spitalin Evangjelismo në Athinë për t’u interesuar për gjendjen shëndetësore të Kryepeshkopit të Shqipërisë, Anastas Janullatos. Duke i uruar shërim të shpejtë lutemi për Fortlumturinë e Tij, për rikthim sa më të shpejtë në punën dhe misionin e tij të bekuar duke kujtuar e nderuar përgjithmonë kontributin e jashtëzakonshëm e të pashoqë që ai ka dhënë prej dekadash në forcimin e besimit, jetën kishtare dhe në shoqërinë në tërësi”, thotë Vangjel Tavo në një postim në Facebook.
Fortlumturia e tij, Janullatos ndodhet në spitalin Evangelismos që prej të premtes së kaluar, kur u transferua në Athinë nga Tirana me avionë të Forcave Ajrore. Prej datës 30 dhjetor, ai ishte i shtruar në një klinikë në Tiranë. Diagnoza fillestare ishte një virus sezonal. Megjithatë, duke pasur parasysh shëndetin dhe moshën e tij, virusi u shndërrua në një infeksion dhe ai pësoi gjakderdhje gastrike. Ndaj u pa e nevojshme transferimi i tij në Athinë, në të njëjtin spital ku edhe u kurua kur u prek nga pandemia e koronavirusit. Fillimisht gjendja e tij ishte e kontrolluar dhe as nuk u intubua, por me orët që kaluan gjendja e tij u përkeqësua dhe tashmë konsiderohet kritike.