Deputetja Monika Kryemadhi ka akuzuar Sekretarin e Përgjithshëm të Partisë së Lirisë, Tedi Blushi. Në një prononcim për gazetarët para se të hynte në Kuvend për herë të fundit, Kryemadhi foli me tone të ashpra ndaj Blushit dhe e akuzoi atë se i largoi Metës të gjithë këshilltarët kur ishte në presidencë dhe po kështu kontribuuesit e partisë. Kryemadhi shkon më tej duke e akuzuar Blushin se e largoi Metën edhe nga shtëpia.
“Tedi Blushi mori çfarë kishte për të marrë. I largoi të gjithë këshilltarët nga presidenca kur ishte Meta, i largoi nga partia e Ilir Metës, i largoi të gjithë kontribuuesit dhe themeluesit e partisë. E gënjeu se ia kanë hequr vjehrrin nga puna, por e ka akoma nëndrejtor te spitali i burgut. Nuk e di ca do më. Deputet u bë. Nga shtëpia e largoi Ilir Metën, takimet e kalamajve ua zëvendëson dhe djeg në burg Blushi. Nëse do edhe ndonjë fustan apo një palë këpucë me taka të miat ia jap me qejf. Të dalë e të flasë njëherë për Ergys Agasin, për Ulsi Manjën, apo nuk guxon dot se ka gruan në punë aty. A është izoluar Meta? Është një nga të burgosurit më të izoluar në burg, edhe dje nuk e lanë djalin për të hyrë. Pra ky zotëria përpara se të dalë të lexojë deklaratat e SPAK për Kryemadhin, le të dalë të bëjë një deklaratë për drejtorin e Përgjithshëm të Burgjeve për Ministrinë e Drejtësisë”, u shpreh Kryemadhi.
E pyetur nëse i vjen keq se do të zëvendësohet në Kuvend nga Blushi, Kryemadhi u përgjigj:
“Nuk më vjen keq fare se fusha tjetër me të cilën po merrem është më e bukur, më me emocion, me ritëm dhe ke të bësh me njerëz që aspirojnë të bëjnë një gjë të bukur dhe jo me njerëz që duan të hanë bukë në kurriz të të tjerëve.”
Sipas Kryemadhit, Meta është i burgosur politik me urdhër të Yuri Kim dhe Alex Soros për të justifikuar reformën në drejtësi.
“Mendoj se zoti Meta është i burgosur politik. Arrestimi i tij është urdhër i Yuri Kim dhe Aleksandër Soros që iu duhej për të justifikuar, sepse ka filluar USAID iu ndërprenë projektet në Shqipëri dhe po verifikohen gati 189 mln dollarë. SHBA ka paguar shumë para për reformën në drejtësi Nuk besoj se SHBA dhe taksapaguesit amerikanë kanë paguar reformën në drejtësi për të vendosur një prokuror apo disa prokurorë, të cilët bëjnë aferat e grupeve të caktuara interesi kriminale dhe qeveritare. E dyta, ata që lexojnë fletë rrufetë e SPAK nga zyrat e Partisë së Lirisë, se po të marrim të lexojmë kushedi çfarë duhet të them unë për Metën dhe ai për mua. E kam thënë se çdo fjalë e shkruajtur qoftë në akuzë apo pretendimeve të SPAK është përveçse linçim dhe denigrim, është edhe manipulim. Mos të dalin e të flasin për Monika Kryemadhin se po të dal të flas unë për ata nuk e di se çfarë ndodh pastaj.”