Në një artikull të fundit, gazeta greke “Ta Nea”, shkruan se, raundi i ri i konsultimeve midis Greqisë dhe Shqipërisë është hapur me çështjen e pezulluar të kufirit detar në krye të agjendës, pas rizgjedhjes së kryeministrit Edi Rama për një mandat të katërt si kryeministër.
“Ta Nea” nënvizon se, në takimin kokë më kokë Gerapetritis-Hasani në Athinë, më 3 qershor, konsiderohet e sigurt se çështja e Zonës Ekonomike Ekskluzive Greko-Shqiptare do të trajtohet, në mënyrë që të dyja palët të arrijnë një marrëveshje mbi “hapat e mëtejshëm” për t’ia referuar këtë mosmarrëveshje specifike Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, siç ishte rënë dakord në vitin 2020.
Sipas gazetës greke, burime kompetente shqiptare vënë në dukje se për Tiranën është gjithashtu një çështje me “rëndësi të jashtëzakonshme”. Ata theksojnë se, nëse jepet drita jeshile për Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, të dyja palët duhet të ndjekin hapat e nevojshëm dhe të bashkëpunojnë ngushtë. Për qeverinë shqiptare, për më tepër, çështja kryesore tani është rruga e qetë për pranimin e Shqipërisë në BE. Në këtë drejtim, Tirana pranon se po merr “mbështetje të konsiderueshme” nga Athina.
Prandaj, thellimi i marrëdhënieve dypalëshe midis Greqisë dhe Shqipërisë tani vlerësohet nga Tirana si një “prioritet i lartë”.
“Angazhimi ndaj rrugës evropiane të Shqipërisë ishte ndoshta faktori më i rëndësishëm, siç theksojnë burimet, që përcaktoi triumfin e fundit zgjedhor të Ramës, me procesin e pranimit që vazhdon pa probleme, me Konferencën e Pestë Ndërqeveritare BE-Shqipëri që u mbajt në Bruksel”, shkruan “Ta Nea”.
Megjithatë, burimet kompetente theksojnë se gjatë Samitit të fundit të Komunitetit Politik Evropian, Emmanuel Macron nuk e përjashtoi pranimin e Shqipërisë në BE në vitin 2027, tre vjet më herët se objektivi.
Ndërsa agjenda përfundimtare e takimit të ardhshëm midis George Gerapetritis dhe homologut të tij shqiptar Igli Hasani është ende duke u formuluar, burimet parashikojnë se gjatë bisedimeve do të diskutohet edhe forcimi i bashkëpunimit greko-shqiptar, si në fushat ekzistuese ashtu edhe në ato të reja.
Sipas gazetës greke, një element tjetër që pasqyron rëndësinë e marrëdhënies mes shteteve është përqindja dërrmuese që Partia Socialiste mblodhi përmes votave të shqiptarëve që banojnë në qytetet greke, mbi 84%. Nëse e krahasojmë me shifrat e përgjithshme të diasporës, ku Rama fitoi 61.3% të votave, kuptohet më qartë mbështetja e shqiptarëve të Greqisë.
Në fund të artikullit të “Ta Nea”, thekson se ky fakt nga Tirana shpjegohet me fushatën e zhvilluar nga kryeministri shqiptar në tokën helene, por edhe ngaqë shqiptarët në territoret greke e kanë mbështetur prej kohësh Partinë Socialiste.