Ish-mesfushori i Kombëtares shqiptare, Burim Kukeli, ka rikujtuar ngjarjet dramatike të ndeshjes mes Serbisë dhe Shqipërisë, e zhvilluar më 14 tetor 2014 në stadiumin “Partizani” të Beogradit. Ndeshja, e cila mbeti në histori për tensionet dhe incidentet e rënda, u ndërpre pasi një dron me flamur kombëtar shqiptar fluturoi mbi stadium, duke shkaktuar përplasje të dhunshme në fushë.
Në një rrëfim për gazetën “Koha” në Kosovë, Kukeli tha se ai dhe shokët e tij të ekipit ishin të vetmuar dhe të pambrojtur gjatë asaj nate dramatike.
“Para ndeshjes gjithçka dukej në rregull, por gjatë lojës ndjehej një energji e keqe. E ndjemë urrejtjen ndaj nesh. Ishim vetëm ne lojtarët dhe disa nga njerëzit e federatës. Nuk ishte ndjenjë e mirë të kishe tërë stadiumin kundër. Por në fund, triumfoi e drejta”, theksoi Kukeli.
Ai kujtoi gjithashtu se Shqipëria e nisi mirë fushatën kualifikuese për Euro 2016 me fitoren kundër Portugalisë, ndërsa ndeshja në Beograd e bëri më të qartë se sa sfiduese do të ishte rruga drejt kualifikimit. “Të gjithë e panë padrejtësinë që na u bë në atë ndeshje. Minimumi ishte shpërblimi me tri pikë në tavolinë, që erdhi vetëm pas vendimit të Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv (CAS)”, tha Kukeli.
Incidentet e asaj nate sollën dhunë ndaj lojtarëve shqiptarë nga huliganë serbë, futbollistë të Serbisë dhe pjesëtarë të sigurimit. Sipas Kukelit, lojtarët shqiptarë u ofenduan dhe u dhunuan fizikisht, ndërsa më pas iu kërkua të vazhdonin ndeshjen – një skenar që ishte i pamundur për ta. “Ka qenë situatë shumë e rrezikshme. Kishte frikë në disa momente, por nuk kishim rrugëdalje tjetër. U përpoqëm të jepnim më të mirën tonë”, u shpreh ai.
Kukeli beson se Shqipëria kishte potencialin për ta fituar ndeshjen edhe në fushë, po të ishte zhvilluar plotësisht. “Kishim faza të mira dhe nëse do të luhej 90 minuta, gjasat për të fituar kanë qenë të mëdha. Por organizimi ishte skandaloz dhe sjellja e kundërshtarëve e papranueshme”, theksoi ai.
Në ndeshjen kthyese në Elbasan në vitin 2015, Kukeli ishte në bankën e rezervistëve, ndërsa Shqipëria u mund 0:2 nga Serbia, në një takim të zhvilluar nën masa të rrepta sigurie. Pavarësisht rezultatit, Kukeli thekson se Shqipëria dha një shembull të lartë qytetarie. “Në Elbasan treguam kulturë dhe respekt. Nuk u sollëm si ata. Marrë mirënjohje nga vende të ndryshme për atë sjellje. U sollëm si njerëz të qytetëruar”, tha ai.
Sa i përket përballjes së radhës ndërmjet Shqipërisë dhe Serbisë, që do të zhvillohet të shtunën në “Arenën Kombëtare” në Tiranë, Kukeli ka një mesazh për tifozët: “Të përkrahin kombëtaren pa urrejtje. Duhet energji pozitive. Është sport dhe kështu duhet të mbetet. Në fund, uroj që Shqipëria të fitojë.”
Aktualisht, Burim Kukeli është pjesë e futbollit zviceran në nivelin U21 dhe aspiron që në të ardhmen të bëhet trajner në Superligën e Zvicrës. Por synimi i tij më i madh mbetet stoli i Shqipërisë ose Kosovës. “Është ëndërr për mua të jem trajner i Shqipërisë ose Kosovës”, përfundoi ish-mesfushori i palodhshëm i kuqezinjve.