Marash Kumbulla po zhvillon një sezon fantastik tek Espanjoli në Spanjë. Mbrojtësi, i cili është në huazim te klubi spanjoll nga Roma, ka bindur me paraqitjet e tij. “Panorama Sport” mëson se në përfundim të kampionatit, drejtuesit e Espanjolit do të ulen në tavolinë me ata të Romës për të biseduar për shifrën e një transferimi të mbrojtësit, që prej disa vitesh është pjesë e Kombëtares.
RRUGËTIMI
Shkëlqeu te Verona, duke marrë besimin e Ivan Juriçit dhe më pas Roma shpenzoi një shumë të konsiderueshme për të. Rrugëtimi i Marash Kumbullës në futbollin profesionist nisi mirë, por ashtu si një pjesë e madhe e lojtarëve, vështirësitë do të vinin mbrapa. Te verdhekuqtë Kumbulla nuk arriti që të ishte në nivelin e duhur dhe për këtë ndikuan shumë faktorë: Ekipi ishte në përgjithësi dobët, ndryshimi i trajnerëve dhe qasja e Zhoze Murinjos që, për hir të së vërtetës, nuk besoi te mbrojtësi.