Në një kohë kur duket se presidenti Joe Biden dhe ish-presidenti Donald Trump do të përballen përsëri në kutitë e votimit në zgjedhjet e këtij viti, një sondazh i fundit tregon diferencën mes tyre.
Sipas anketës të Universitetit Quinnipiac, rezultatet e së cilës u publikuan të mërkurën, presidenti demokrat Biden gëzon 50 për qind mbështetje, 6 për qind më shumë sesa republikani Trump me 44 për qind, raporton CNN.
Në sondazhin e fundit, 96 për qind e demokratëve dhe 52 për qind e të pavarurve mbështesin Biden, ndërsa 91 për qind e republikanëve dhe 40 për qind e pavarurve mbështesin Trump. 58 për qind e grave të anketuara mbështesin Biden dhe 36 për qind mbështesin Trump. Në dhjetor diferenca ishte më e ngushtë: 53 – 41 për qind. Mes burrave të anketuar, 53 për qind mbështesin zotin Trump dhe 42 për qind zotin Biden, një rezultat pothuajse i njëjtë me atë të dhjetorit: 51 – 41 për qind.
Ndërkohë sipas sondazhit të fundit të publikuar sot, nga agjencia e lajmeve Associated Press dhe Qendra NORC për Kërkimin e Çështjeve Publike, 35% e të rriturve në SHBA mendojnë se gjendja ekonomike e vendit është e mirë, në krahasim me 30% që mendonin kështu në fund të vitit të kaluar dhe 24% një vit më herët. 65% e të anketuarve mendojnë se ekonomia është e dobët, megjithatë kjo shifër përbën një përmirësim nga një vit më parë, kur 76% mendonin kështu.