Rikthimi i basteve sportive, disa vite pas mbylljes së bujshme të tyre, pritet që të forcojë sërish segmente të ndryshme të biznesit, që do të marrin licensën për këto aktivitete. Një prej personazheve më të njohur të lojërave të fatit në Shqipëri, ka qenë padyshim Ervis Martinaj, i cili prej afro 1 viti e gjysmë rezulton i zhdukur. Për gazetarin e kronikës, Artan Hoxha, dhe organizata e tij në terren është e shpërbërë, pikërisht për shkak të goditjes që ka marrë me zhdukjen e tij.
I ftuar në një një intervistë për Euronews se do të bëhet një rishpërndarje e atyre që do të drejtojnë bizneset e basteve në Shqipëri, të cilat dikur drejtoheshin kryesisht nga grupi i Martinajt.
“Edhe mediat janë fokusuar më tepër te pjesa se çfarë ndodhi me Ervis Martinaj. Kurbini heton çështjen për rrëmbimin, zhdukjen dhe eliminimin fizik të Ervis Martinaj, ndërkohë SPKA-u e ka nën hetim për disa procese të nisura nga “Plumbi i artë”, një strukturë heton sikur ai është gjallë, tjetra heton sikur ai është dëmtuar vetë.
E rëndësishme është situata në terren. Në terren një nga operatorët më të rëndësishëm të 10 viteve të fundit është tashmë jashtë loje. Kjo dëshmohet qartë. Ky operator, kjo organizatë, është shpërbërë.
Jemi në fazën ku ligji për lojërat e fatit sapo hyn në veprim dhe tashmë do të bëhet një rishpërndarje e re e asaj që edhe kur ishte e legalizuar edhe kur ishte e paligjshme, kontrollohej një pjesë e mirë nga kjo organizatë që drejtohej nga Ervis Martinaj. Unë besoj për të shpjeguar një pjesë të mirë të ngjarjeve që kanë ndodhur në Shqipëri apo jashtë Shqipërisë duhet të nisemi nga këto që nuk i kemi zbuluar dot”, tha Artan Hoxha.
Çfarë parashikon ligji i ri i miratuar në Kuvend për lojërat e fatit
Drafti final parashikon vendosjen e kritereve kushtëzuese për të marrë pjesë në garë, duke caktuar kuotën limit 30 për qind të aksioneve për aksionerët e huaj në kompanitë konkuruese, si dhe mekanizmin e ankandit për të përzgjedhur fituesit.
Po ashtu vendos përjashtimin e organizatorëve të “Basteve sportive online” nga sponsorizimi i skuadrave sportive, ndërkohë që presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit dhe presidenti i Komitetit Olimpik u hoqën nga anëtarësia e Këshillit të Mbështetjes së Projekteve. Këshilli i Mbështetjes së Projekteve menaxhon të ardhurat që vijnë nga bastet.
Një pikë e re u shtua në lidhje me kontrollin e shtetit mbi veprimtarinë e kompanisë koncensionare që ka ndërtuar dhe mirëmban sistemin qëndror të monitorimit online. Ky kontroll do të bëhet nga Komisioni i Licencave nëpërmjet auditimit. Ndryshime u bënë dhe në nenet për normën e fitimit të lojtarëve të lotarive kombëtare që nga 80 për qind u ul në “jo më pak se 50 për qind”.