Kreu i Lëvizjes “Shqipëria Bëhet” Adriatik Lapaj, e cila mori një mandat në zgjedhjet e 11 majit, tha se pritshmëritë ishin më të larta. Në një intervistë për “Sot Live në Shqipëri”, ai tha se përtej kësaj, ata arritën që të dilnin forcë e tretë.
Sipas tij, në aspektin e partisë, kanë hedhur themele të shëndosha për rrugëtimin politik, por në aspektin e atdheut, nuk arritën që të realizojnë atë që mendonin. Për këtë, Lapaj deklaroi se ndjen përgjegjësi dhe se do të bëjë reflektimet e duhura në raport me qytetarët.
Nëse i referohemi rezultateve të tranzicionit shqiptar, jemi forca e parë politike në të gjithë tranzicionit shqiptar, si forcë antisistem, ka marrë një rezultat të tillë, në numër votash janë 64 268 vota, jemi renditur nga 3 garuese, është renditur i treti në vetëm 8 muaj jetë politike.
Në aspektin e lëvizjes janë hedhur themele të shëndosha për një rrugëtim të ardhshëm pozitiv, në raport me atdheun s’e kemi realizuar atë për të cilën e kemi nisur. Dhe për këtë ndjej përgjegjësinë time dhe po bëj reflektimet e duhura.”, u shpreh Lapaj.
I pyetur nëse do t’i njohin zgjedhjet, Lapaj tha se do të flasë në fund të procesit. Ai ripërsëriti një deklaratë të tij se sistemin aktual e njeh, pavarësisht se ka rezerva, dhe se ka garuar për ta ndryshuar. Lapaj tha se as fajtor nuk e bën popullin, pasi përndryshe do të largohej nga politika.
“Pyetje që duhet të bëhet më vonë se procesi është ende në vazhdimësi. Nesër hapet një nga kutitë e Vlorës, pasnesër kemi seancën për hapjen e kutive të Fierit, për të parë rinumërimin. Në këtë drejtim procesin e kemi në vazhdimësi. Unë e kam thënë edhe para zgjedhjeve se bëj pjesë te ata njerëz që e njoh sistemin si është dhe po garoj për ta ndryshuar aq sa mundem. Nuk dal dot sot dhe të them se nuk i dija këto probleme. Janë problem që kanë ekzistuar por është e padrejtë që të mos themi se kanë ndodhur në këto zgjedhje.
Në fund të procesit do të shprehemi zyrtarisht, por ato që janë fakte në këtë proces, që janë tej çdo standardi për integrimin evropian, është fakt që qeveria dy ditë par zgjedhjeve fali gjobat e viteve të fundit. Me këtë standard nuk arrin dot ta mundësh një qeveri që vendos të blejë zgjedhjet përmes ligjit. Mos prit nga unë që të bëj me faj popullin se në ditën që do ta bëj këtë, largohem nga politika. Nuk ka logjikë. Ajo që duhet thënë se betejën e kam me intelektualët e Shqipërisë që në rastin më të mirë konformohen dhe në rastin më të keq shiten për t’u bërë palë me sistemin”, shtoi Lapaj.
Lapaj më tej tha se kanë bërë një fushatë model, ndërsa i cilësoi mbi 64 mijë votat që morën si vota dinjiteti. Lapaj theksoi gjithashtu se është i hapur për bashkëpunim me faktorët politikë, ndërsa shtoi se vija e kuqe mbetet drejtësia, duke nënkuptuar Sali Berishën.
“Bëmë bëmë fushatë model, masive në të gjithë republikën. Ne si koalicion nuk u fokusuam në qarqet e mëdha, në Vlorë meqenëse kam origjinën nga Vlora, apo në Durrës meqë është afër. Ne kemi marrë 64 268 vota, vota dinjiteti, të pablera, të papresionuara por edhe mbi 15 mijë vota që janë shpallur të pavlefshme që bëjnë diku rreth 80 mijë vullnete.
80 mijë vullnete në një situatë politike dhe ekonomike siç është Shqipëria që ndodhi në këto zgjedhje, janë shumë. A janë mjaftueshëm për ndryshimin? Jo. Ne do të vazhdojmë për të bërë edhe më mirë këtë që kemi bërë dhe për të dhënë më shumë shpresë. Në këtë drejtim, jemi të hapur për të ftuar në bashkëpunim gjithë faktorët të cilët përfaqësojnë vlerat. Vija e kuqe është drejtësia.”, tha Lapaj.
I pyetur nëse do ta marrë ai mandatin, Lapaj tha se për shkak të deklaratës së tij publike, do t’ia lërë në dorë kryesisë së partisë.
“Sa kemi marrë ne? 64 268 vota. Me 64 mijë, PS në Vlorë ka marrë 9 mandate ajo që ne po bëjmë është se jemi në proces, dhe do të përgjigjem për këtë ditën që radha e mandatin nga KQZ do të vijë te unë se është një proces që lidhet me kryesinë dhe strukturat tona.
Unë kam bërë qëndrim publik që lidhet me faktin se në momentin që lëvizja jonë do të merrte një numër votash që përkthehet në mesataren e një mandati, do të tregonte dështim nga ana ime. Për sa kohe jemi renditur forcë e tretë, këta njerëz duhen përfaqësuar. Gjithsesi për shkak të qëndrimit tim publik, vendimi nuk do të jetë më i imi por i kryesisë. Kjo është një gjë që do të përgjigjemi në vazhdim kur të mbyllet procesi”, theksoi Lapaj.