Kush është presidenti dhunues Faruk Koca, si i ‘shpëtoi jetën’ Erdoganit në vitin 2006

Faruk Koca, Presidenti Ankaragyçy, që përfundoi në faqet e para të shtypit botëror, pasi goditi me grusht arbitrin, ka pas një karrierë të pasur politike. Në 2006-ën ishte sërish në epiqendër të kronikave, pasi i shpëtoi jetën liderit të Turqisë.

Faruk Koca, presidenti i Ankaragyçy, është një politikan. Ai ka lindur në Bala (Ankara) në 1964-ën. Është një nga pjesëtarët e themelimit të AKP, partisë kryesore të Turqisë, që udhëhiqet nga presidenti Erdogan. Ka qenë deputet i Ankarasë për dy legjislatura, nga 2002-shi në 2011-ën, në vitet e futjes në politikë dhe të mazhorancës parlamentare të AKP.

Partia e tij ka bërë me dije se Koca, i arrestuar direkt pas ngjarjes, është përjashtuar për arsye disiplinore. Vetë Erdogan reagoi me një postim në ‘X’, pas ngjarjes së rëndë që ndodhi mbrëmjen e së hënës. “Dënoj sulmin ndaj arbitrit Halil Umut Meler dhe i uroj shërim të shpejtë”.

Koca “e shpëtoi” Erdoganin në vitin 2006. Kryeministri i atëhershëm i Turqisë kishte një problem shëndetësor dhe po transportohej për në spital, por mbeti brenda makinës së tij të blinduar. Truprojat nuk po arrinin të hapnin dyert dhe në atë moment ndërhyri Koca. Ai gjeti një shkop aty afër, theu një nga xhamat dhe nxori nga makina Erdoganin.

Koca e mori drejtimin e Ankaragyçy në 2021-shin, me më shumë se gjysmat e votave të asamblesë së përgjithshme të klubit. Gjatë një ndeshjeje me Beshiktashin në shtator të 2022-shit, një tifoz i skuadrës së tij hyri në fushë dhe mori me shkelma një lojtar kundërshtar.

Koca, tani i arrestuar e justifikoi episodin, duke fajësuar arbitrin: “Mënyra si ai e drejtoi ndeshjen më bëri me nerva. Janë 25 mijë tifozë që e kuptojnë futbollin, arbitri nuk vepron me të njëjtin standard te faullet dhe kartonët. Ai e ka fajin për incidentin”.

Arbitri që ishte viktimë e dhunës ka thënë se Koca e kishte kërcënuar se do ta vriste në momentin që e goditi me grusht.

Lajme të ngjashme

Lajmet e fundit

Contact Us