Kush ndërton dhe kush blen në Tiranë?! Debatet që po ndezin rrjetin dhe rastet e mashtrimit

Shqipëria e ka thelluar kryesimin si “kampione” e Evropës në ndërtim në vitin 2024, por në vendin tonë ende ka pikëpyetje të mëdha mbi njerëzit që blejnë në këto pallate që ndërtohen çdo ditë. Debatet nuk zhvillohen vetëm në tavolina me njerëz në përditshmëri, por kanë mbërritur edhe në emisionet televizive, aty ku palët kundërshtojnë njëri-tjetrin.

Si fillim për shkak të qëndrimeve që mbajnë dhe së dyti, për shkak të interesave që përfaqësojnë. Mbrëmjen e 26 qershorit, pati një përballje të fortë mes Dritan Shakohoxhës, që të gjithë e njohim për pasionin e tij për sportin, por që ishte ftuar si përfaqësues i agjencisë imobiliare “Mikado” dhe Arben Malajt, ekspert ekonomie që ka qenë Ministër i Financave dhe Ekonomisë në Republikën e Shqipërisë në periudha të ndryshme nga viti 1997 deri në vitin 2005.

Malaj foli për futjen e parasë së zezë në ndërtim, që përkthehet në çmime më të larta në treg dhe nëse nuk pengon, të paktën ndikon në uljen e blerjes së apartamenteve nga qytetarët shqiptarë që i përkasin një shtrese mesatare. Ndërsa Shakohoxha është i bindur se shqiptarët blejnë çdo ditë apartamente.

Pjesë nga debati:

Arben Malaj: Në analizë risku, në pastrim parash, në të gjitha manualet, organizatat më të mira në botë, ndërtimi është me flamur të kuq, sepse është mundësia më e mirë për të pastruar paratë. Dhe çmimi rritet kur deformohet një nga elementët, ose ka rënë oferta, që ne japim leje pafund, ose është rritur kërkesa në mënyrë të paarsyeshme.

Dritan Shakohoxha: Ore seriozisht e ke që mund të thuash?!

Arben Malaj: Ore ti je ekspert për sportin, unë jam për këtë dhe ti më thua mua…?! Po seriozisht dhe me zë të lartë! Unë them kush e ka deformuar tregun që një shqiptar nuk blen dot?! Ti më tregon mua?! Paraja kriminale në ndërtim për qytetarët shqiptarë, se jam ekspert për atë… Pse Banka e Shqipërisë vuri rregulla strikte për të ulur kërkesën në treg?! Nuk financojmë 100%, për të ulur kërkesën. Është e deformuar kërkesa!

Dritan Shakohoxha: Sapo the që Banka po ndërhyn për të frenuar kërkesën, ndërkohë që thua kërkesa vjen nga bota e krimit.

Arben Malaj: Ti s’kupton logjikën! Bie kërkesa e bankës dhe rritet paraja kriminale. Banka e bën sepse është e detyruar që prej krizës së 2008-ës…

Rritjen e çmimeve të apartamenteve në Tiranë e konfirmoi edhe një përfaqësues i një agjencie imobiliare nga Kosova, “Pro Real Estate”, Valon Batusha.

“1.800-1900 euro në qendër të Prishtinës, në Shqipëri është dyfishi. Nga Kosova kërkojnë të blejnë më shumë prona në bregdet të Shqipërisë. Nëse ke kthimin në investim brenda 10 viteve je brenda normës, por tani në Shqipëri nuk e arrin dot. Edhe tek ne rriten çmimet jashtë normales, por jo kaq,”- tha Batusha.

Klodian Muço, ekspert i ekonomisë, ka ngritur shqetësime lidhur me zhvillimet demografike dhe ndikimin e tyre në sektorin e ndërtimit dhe atë bankar në vend. Muço, në një prononcim për SyriTv theksoi se Shqipëria po përballet me një tkurrje të vazhdueshme të popullsisë, ndërkohë që në mënyrë paradoksale, në Tiranë vazhdojnë të jepen leje ndërtimi në përmasa rekord.

“Shqipëria është një vend jo shumë atraktiv për të rinjtë. Në të tilla kushte, kalojmë tani tek sektori i ndërtimit. Çfarë është vënë re? Nga njëra anë shikojmë që popullsia ka trend rënës. Në Tiranë popullsia po bie, nga ana tjetër lejet e ndërtimit po rriten në nivele të frikshme. Vitin e kaluar, në Tiranë u dhanë mbi 8 milionë metra katror leje ndërtimi, që nënkupton se ndërtohen rreth 10 mijë apartamente në vit. 10 mijë apartamente, po të kemi parasysh një koefiçen që familjet në Shqipëri janë nga dy persona mesatarisht, i bie që duhen për 22 mijë persona në vit. Praktikisht ne bëjmë një ofertë në sektorin e ndërtimit, vetëm në Tiranë, ndërkohë që popullsia po bie. Kështu Banka e Shqipërisë, fillon merr masa, mbron sektorin bankar me qëllim që të shpëtojnë dhënien e kredive sa i përket sektorit imobiljar. Ky sektor po vuan nga një spekulim i lartë dhe herët a vonë do kemi një flluskë imobiljare. Kjo flluskë që do prekë qytetarët e ndershëm është evidente, po që urojmë thotë Banka e Shqipërisë që të mos prekin sektorin financiar se kjo do na shkaktonte probleme serioze për ekonominë në tërresi,”- tha ai.

Të njëjtën gjë ka thënë dhe juristi Eduard Halimi në një prononcim për MCN. Ai është shprehur se investimet që bëhen në ndërtim dhe burimin e tyre, duhen bërë nga blerësit, bankat por edhe Prokuroria e Posaçme. Ai deklaroi se nga hetimet dhe përgjimet e SPAK ka rezultuar se një pjesë e të ardhurave të investuara në ndërtim, investoheshin nga trafiku i drogës, por shtoi se nëse Prokuroria e Posaçme do i bllokonte, do fuste tregun në kolaps.

Lajme të tjera |  "1 në 50 emigrantë shqiptarë janë në burg", Rama sfidon deputetin britanik: Herën tjetër kur dikush përgojon shqiptarët...

“Në vitin 2021 për operacionin ku u mor serveri i Sky Encro Chat, 63 mijë përdorues, pjesa më e madhe e tyre ishin shqiptarë, ku pjesa më e madhe ishin për trafikun e drogës. Nga këto përgjime ka rezultuar se një pjesë e të ardhurave që siguroheshin nga trafiku i drogës nga Belgjika, Ekuadori, Hollanda, këto para investoheshin në ndërtim. Deri më tani nuk ka patur konfiskime tërësore të kullave apo ndonjë objekti ndërtimor, bazuar kjo dhe në disa procese qoftë në Shqipëri, por edhe jashtë. Çdo investitor dhe çdo blerës duhet të bëjë verifikimin nëse këta individë janë në ndjekje penale apo kanë rekorde kriminale. Vënia e shiritit nuk ka ndodhur në bllok, në një kullë dhe ky është lajm i mirë. Nëse do e vendoste SPAK shiritin, do fuste tregun në kolaps, qytetarët në kolaps dhe bankat në kolaps. Është një hap i kujdesshëm i prokurorisë që nuk ka bërë një hap të tillë. Se prokurorët janë njerëz të zgjuar, të lexuar dhe kanë parë 22 vendimet e gjykatave europian,”- tha ai.

Por ndërkohë që diskutohet paraja e zezë apo pamundësia për të blerë një apartament, në Shqipëri të shfaqet çudia e radhës. Një qytetare nga Vlora, Katrina Mitraj, edhe pse ka paguar për një apartament te firma “Binaj 2003”, pallati nuk ka përfunduar dhe ndërtuesi kërkon para ekstra. Ajo e ka denoncuar rastin në emisionin “Stop” dhe shprehet se porosinë e apartamentit e ka bërë prej vitit 2019 dhe e ka likujduar plotësisht pagesën, por është përballur me një shantazh nga ndërtuesi, Gentjan Binaj.

“Përshëndetje! Në vitin 2019 kam blerë një apartament në qytetin e Vlorës te Gentjan Binaj, “Binaj Shpk”. Pallati duhej të mbaronte që në vitin 2021, pallati nuk ka mbaruar ende, kam një problem me ndërtuesin. Unë e kam shlyer komplet vlerën e shtëpisë, aq sa e kemi në kontratë, ai mori lekët, prita të mbarojë shtëpia, shtëpia nuk ka mbaruar ende dhe sot, ky ndërtuesi, më thotë të më kthejë lekët mbrapa, aq sa kam dhënë në fillim, të prishim kontratën e shtëpisë, sepse pallati thotë, ngjasme nuk përfundon më. Ose më thotë, se nëse ti e do shtëpinë, do të paguash më shumë lekë, sepse në bazë të ligjit, janë rritur çmimet e apartamenteve, m2, ndërkohë që në kontratë e kam të theksuar dhe zotëria ka firmosur, që nuk ndryshon as çmim, asgjë në varësi të kohës, që ka kaluar”, thotë denoncuesja.

Emisioni “Stop” ka komunikuar edhe me administratorin e firmës, i cili pretendon, se janë rritur çmimet e nuk mund ta ndërtojë pallatin me këto lloj pagesash. Ai thotë, se as që pyet për kontratë e noter, pasi është vetë zot i punës së vet.

Lajme të tjera |  ‘Tym i zi’ në Kosovë, Kurti nuk gjen dot konsensus me partitë pas 2 orësh takim! Opozita: I papërgjegjshëm! Kryeministri: Ofruam kompromis, nuk bllokojmë ne

“Me atë zonjushën në fjalë, e para njëherë nuk kam ndonjë problem, nuk e di, ça problemi ka me veten ajo. Kur diskuton me njerëz, që nuk janë në rregull nga vetja e tyre. Kemi rënë dakord të dy si njerëz, që e kemi pirë një kafe me anë të disa miqësive të përbashkëta dhe ka blerë një shtëpi 15 mijë euro zonja. Lëre ça është kontrata, unë të them, ça ka paguar ajo. Nga 15 mijë euro, do të marrë 20 mijë euro mbrapsht dhe ajo në punën e saj, unë punën time. Ka marrë 10 mijë euro me mandate dhe 10 mijë euro do t’i merrte para 20 ditëve,”- thotë Binaj.

Në këto kushte, a duhet të ndërhyjnë autoritetet?!

A ka një afat ndërtimi i një pallati?

Me çfarë pasojash përballet një ndërtues kur nuk u përmbahet kushteve?

Në fakt ky nuk është rasti i parë, pasi nuk numërohen ndërtuesit që janë shpallur në kërkim pasi kanë lënë një projekt në mes, por sërish janë rikthyer në skenë dhe kanë arritur të marrin edhe një tjetër leje ndërtimi.

Ndërsa gazetarja Ola Xama flet për një flluskë ndërtimi. Në një prononcim për MCNTV, Xama thotë se flluska në ndërtim ka të bëjë me rritjen e çmimeve në mënyrë artificiale, duke mos iu përgjigjur kërkesës së tregut dhe se në Tiranë po ndodh prej disa vitesh.

“Pronat e lëna kolateral në banka dalin në shitje, konsumatori nuk ka fuqi të paguajë këstin e kredisë. Që të ndodhë flluska duhet të ketë një rritje çmimesh artificiale. Në Tiranë ka 3-4 vite që ka ndodhur fenomeni i flluskës në ndërtim. Në qendër të Tiranës çmimet variojnë na 3 deri në 10 mijë euro metri katror. Një pjesë e mirë e burimeve të financimit të ndërtimit në Shqipëri nuk justifikohet. Nuk janë bankat financuesit, nuk janë depozitat financiare financuesit. Që i bie që një pjesë e mirë e sektorit financohen nga para informale, qoftë përmes korrupsionit, pastrimit të parave të krimit.  Blejnë apartamente apo hyjnë si ortakë të fshehtë në ndërtime në këtë sektor. Në momentin që do të ndodhë një zbatim rigoroz i ligjit dhe ndërprerje e parave të paligjshme, atëherë do të shohim se shumë leje të dhëna për ndërtesa, kulla dhe pallate do të mbeten përgjysmë. Investitori do të kërkojë që të shesë dhe për këtë do të ulë çmimin. Sistemi bankar në çdo lloj krize ekonomike, ka ndodhur për shkak të flluskave që krijon modeli i pasurive të paluajtshme, preket. Bankat janë shumë të ekspozuara nga kreditë në ndërtim. Nuk është prokuroria që e rregullon tregun. Tregun e rregullon zbatimi i ligjit dhe nëse të gjithë strukturat do të funksiononin për zbatimin e ligjit, nuk do të ndodheshim para kësaj situate.  Noterët, bankat duhet të raportojnë transaksionet e dyshimta,”- u shpreh ajo./ZËRI/

Lajme të ngjashme

Lajmet e fundit

Contact Us