Edhe pse zgjedhjet parlamentare të 11 Majit janë shumë pranë, sërish duket se brenda Partisë Demokratike nuk ka një “bashkëpunim”. Mbrëmjen e djeshme, i ftuar në emisionin “Opinion”, Belind Këlliçi bëri një deklaratë që për të gjithë ata që kanë ndjekur politikën e viteve të fundit është mëse normale. Në fjalën e tij, Këlliçi tha se edhe nëse Partia Demokratike i fiton zgjedhjet parlamentare, nuk do të thotë që Sali Berisha do të bëhet kryeministër i vendit. Deklarata e tij “ktheu kokat” e të pranishmëve në emision, demokrati e sqaroi atë që donte të thoshte duke shtuar se synimi i kryedemokratit nuk është pozita si kryeministër. Sipas Këlliçit, Berisha është shprehur vetë se do jenë demokratët ata të cilët do vendosin pas fitimit të zgjedhjeve se kush do jetë kryeministri.
DEKLARATA E KËLLIÇIT:
Këlliçi: Të themi disa të vërteta. Berisha zotëri, meqe e ke merak Berishën, nuk është në garë, e po ta them dhe unë, nuk jemi në garë që të bëhet Berisha kryeministër. Ka kryer Berisha “legacy” të vet, President, kryeministër, kryetar opozit, gjithçka…
Fevziu: Si, si? Si ishte kjo që the?
Këlliçi: Nuk jemi në garë më 11 Maj që të bëhet Berisha kryeministër.
Fevziu: Por po fitoi PD kush do bëhet kryeministër?
Këlliçi: E vendosin vetë demokratët, e ka thënë Berisha. Berisha ka një mision dhe rrethanat historike, rrethanat politike, e detyroi Berishen të rikthehej, të merrte të bashkonte PD, për të larguar këtë model qeverisje. Berisha nuk është këtu për karrierë personale, nuk është këtu për ego, nuk ëhstë këtu për ambicie. Berisha të gjitha gjërat në historinë e këtij vendi, Berisha i ka bërë.
Fevziu: Kjo deklarata, është deklaratë tamam apo opinion i yti?
Këlliçi: Kjo deklaratë, është deklaratë e Belind Këlliçit, drejtuesit politik të qarkut Tiranë.
Baton Haxhiu: Më mirë mos ta kishe thënë fare.
Paralelisht, në një studio tjetër, sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka po fliste për fushatën u përball me deklaratën e kolegut të tij. Përgjatë gjithë kohës që ky moment u diskutua në studio, Noka u shpreh se nuk e besonte që ajo deklaratë ishte bërë nga ana e kolegut të tij.
“Nuk e ka thënë. Kjo ka qenë një ide e Berishës, por nuk thotë askush sot që është apo nuk është. Ai që fiton zgjedhjet, ai ka të drejtën nga populli. Kam përshtypjen që është lapsus i mediave.”
Por në fakt nuk ka asnjë për t’u habitur! Ka qenë vetë kryedemokrati Sali Berisha ai që e ka bërë këtë deklaratë, e cila tashmë është normë në Statutin e brendshëm të Partisë Demokratike.
Statuti i votuar nga demokratët në 11 dhjetor 2021, të cilin Berisha e cilëson si Kushtetutën e pathyeshme e Partisë së Rithemeluar, e thotë qartë që në rast fitimi të zgjedhjeve parlamentare brenda strukturave votohet kryeministri. Pra, Këlliçi nuk ka thënë asgjë të padëgjuar më parë ose që për demokratët mund të konsiderohet si ‘blasfemi’. Përkundrazi, po i përmbahet atij statuti që mbështet edhe vetë kryedemokrati Berisha. Por duket se Noka ishte shumë i shpejtë për të kundërshtuar, saqë harroi edhe “fjalët e doktorit” ndër vite. Madje edhe së fundmi, Berisha nuk e ka artikuluar dhe nuk garon për t’u bërë kryeministër, por që Partia Demokratike të rikthehet në pushtet./ZËRI