“Kushtetuesja” rrëzon opozitën për Butrintin: Shteti ka pronësinë dhe administrimin indirekt

Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar këtë të mërkurë kërkesën e bërë nga Partia Demokratike, e cila kërkonte shfuqizimin e ligjit për administrimin e parkut kombëtar të Butrintit. Duke lënë kështu në fuqi marrëveshjen e arritur mes shtetit shqiptar që menaxhimi i Parkut Kombëtar të Butrintit të bëhet nga Fondi Shqiptaro Amerikan për Zhvillimin. Në arsyetimin e saj (fillestar pasi pritet që pas disa ditësh të zbardhet edhe vendimi i plotë), Gjykata Kushtetuese sqaron se për pretendimin e opozitës për cenimin e parimit të ligjshmërisë, bazuar në nenin 118 të Kushtetutës, për shkak të dhënies së statutit partner strategjik të AADF-së me një akt nënligjor. Në këtë rast, ajo vlerësoi se nuk ka juridiksion për shkak të natyrës individuale të këtij akti.

Më tej, Kushtetuesja rrëzoi pretendimet e deputetëve demokratë duke vënë në dukje se kjo marrëveshje nuk cenon as identitetin kombëtar dhe as trashëgiminë kulturore, pasi edhe pse menaxhimi i Butrintit do realizohet nga një fondacion, sërish roli i shtetit mbetet parësor, përfshirë  pronësinë dhe administrimin indirekt.

Për pretendimin për cenimin e parimit të ligjshmërisë, bazuar në nenin 118 të Kushtetutës, për shkak të dhënies së statutit partner strategjik të AADF-së me një akt nënligjor, Gjykata vlerësoi se nuk ka juridiksion ratione materiae për shkak të natyrës individuale të këtij akti.  Për pretendimin për cenimin e parimit të kontrollit të financave publike Gjykata vlerësoi se është haptazi i pabazuar, pasi bazuar në aktet e administruara dhe qëndrimet e palëve në gjykim ajo arriti në përfundimin se nuk vihet në diskutim ushtrimi i kompetencës së KLSH-së për të kontrolluar financat publike, pavarësisht llojit të entitetit që i administron ato.   Për pretendimin për cenimin e parimit të ndarjes së pushteteve dhe të autonomisë vendore, Gjykata vlerësoi se argumentet e paraqitura kanë të bëjnë me përplasje mes akteve ligjore në fuqi, për rrjedhojë nuk bëjnë pjesë në juridiksionin kushtetues. Gjykata mori në shqyrtim në themel vetëm pretendimet për cenimin e identitetit kombëtar dhe të trashëgimisë kulturore të lidhur me parimin e shtetit të së drejtës dhe të hierarkisë së akteve ligjore. Këto pretendime të kërkuesit janë mbështetur në Konventën e Parisit, sipas së cilës shteti duhet të ruajë rolin e tij parësor për mbrojtjen dhe konservimin e pasurisë së trashëgimisë kulturore, kjo e parë edhe në këndvështrimin se Parku Kombëtar i Butrintit bën pjesë jo vetëm në trashëgiminë kuturore kombëtare, për rrjedhojë është pjesë e identitetit kombëtar, por edhe në fondin e pasurisë së trashëgimisë botërore të UNESCO-s”, thuhet në vendimin e GJK.  

Qeveria shqiptare dy vite më parë vendosi që menaxhimi i Parkut Kombëtar të Butrintit të kryhet nga një fondacion i krijuar nga Ministria e Kulturës dhe AADF, për një afat 10-vjeçar, me të drejtë ripërtëritje. Ligji mori dritën jeshile në Kuvend, vetëm me votat e mazhorancës ndërsa krijoi një debat të fortë politk mes palëve që kundërshtonin njëra-tjetërën. Kundër këtij ligji ishin dhe aktivistë të shoqërisë civile, të cilët shprehen se menaxhimi përmes kësaj forme mund të dëmtojë Parkun Kombëtar të Butrintit. Partia Demokratike e drejtuar nga Sali Berisha mblodhi firmat e 36 deputetëve dhe i kërkuan Gjykatës Kushtetuese që ta shfuqizojë si antikushtetues ligjin mbi administrimin e Parkun Kombëtar të Butrintit. Por pas shqyrtimit të kërkesës, Kushtetuesja vendosi ta hedhë poshtë këtë kërkesë dhe ti japë dritën jeshile ligjit të votuar në maj të vitit 2022 në Kuvend.

NJOFTIMI I GJYKATËS KUSHTETUESE:

Lajme të tjera |  Papa i ri është amerikani Robert Francis Prevost. Ka zgjedhur emrin Leone XIV

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë mori në shqyrtim kërkesën e jo më pak se një të pestës së deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, me objekt  shfuqizimin e ligjit nr. 50/2022, datë 23.05.2022 “Për miratimin e marrëveshjes për administrimin e nënzonave të trashëgimisë kulturore dhe peizazhit kulturor, pjesë e Parkut Kombëtar të Butrintit, ndërmjet Ministrisë së Kulturës dhe Fondacionit për Menaxhimin e Butrintit”, si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, si dhe pezullimin e zbatimit të tij deri në hyrjen në fuqi të vendimit të kësaj Gjykate.

Gjykata, pasi mori në shqyrtim paraprakishst çështjen e juridiksionit të saj, arriti në përfundimin se ka juridiksion për shqyrtimin e ligjit miratues nr. 50/2022, në kuptim të nenit 131, pika 1, shkronja “a”, të Kushtetutës. Për sa i përket marrëveshjes për administrimin e Parkut Kombëtar të Butrintit ndërmjet Ministrisë së Kulturës dhe Fondacionit për Menaxhimin e Butrintit, pavarësisht natyrës jo normative të këtij akti, Gjykata pranoi juridiksionin e saj për shqyrtimin e tij. Në këtë drejtim, Gjykata pati parasysh jo vetëm se ky akt ka veshje formale me ligj për shkak të miratimit nga Kuvendi, por edhe natyrën kushtetuese të pretendimeve të ngritura nga kërkuesi, të cilat ajo i ka konsideruar si përcaktuese të juridiksionit kushtetues.

Lidhur me pretendimet e paraqitura nga kërkuesi, Gjykata vlerësoi:

Për pretendimin për cenimin e parimit të ligjshmërisë, bazuar në nenin 118 të Kushtetutës, për shkak të dhënies së statutit partner strategjik të AADF-së me një akt nënligjor, Gjykata vlerësoi se nuk ka juridiksion ratione materiae për shkak të natyrës individuale të këtij akti.  

Për pretendimin për cenimin e parimit të kontrollit të financave publike Gjykata vlerësoi se është haptazi i pabazuar, pasi bazuar në aktet e administruara dhe qëndrimet e palëve në gjykim ajo arriti në përfundimin se nuk vihet në diskutim ushtrimi i kompetencës së KLSH-së për të kontrolluar financat publike, pavarësisht llojit të entitetit që i administron ato.  

Për pretendimin për cenimin e parimit të ndarjes së pushteteve dhe të autonomisë vendore, Gjykata vlerësoi se argumentet e paraqitura kanë të bëjnë me përplasje mes akteve ligjore në fuqi, për rrjedhojë nuk bëjnë pjesë në juridiksionin kushtetues.

Gjykata mori në shqyrtim në themel vetëm pretendimet për cenimin e identitetit kombëtar dhe të trashëgimisë kulturore të lidhur me parimin e shtetit të së drejtës dhe të hierarkisë së akteve ligjore.

Këto pretendime të kërkuesit janë mbështetur në Konventën e Parisit, sipas së cilës shteti duhet të ruajë rolin e tij parësor për mbrojtjen dhe konservimin e pasurisë së trashëgimisë kulturore, kjo e parë edhe në këndvështrimin se Parku Kombëtar i Butrintit bën pjesë jo vetëm në trashëgiminë kuturore kombëtare, për rrjedhojë është pjesë e identitetit kombëtar, por edhe në fondin e pasurisë së trashëgimisë botërore të UNESCO-s. 

Gjykata vlerësoi se pavarësisht transferimit të kompetencave me natyrë administrative (menaxhuese) tek Fondacioni për Menaxhimin e Butrintit, shteti vijon të ruajë atributet e tij sovrane për sa kohë që ruan pronësinë mbi këtë pasuri ashtu edhe administrimin indirekt, në përputhje me standardet dhe parimet kushtetuese.

Ndërkohë, Gjykata, për të arritur në përfundimin nëse kompetencat e Fondacionit sipas marrëveshjes bien ndesh me detyrimin konventor për ruajtjen e rolit parësor të shtetit në administrimin e pasurisë së trashëgimisë kulturore kombëtare, e parë kjo në këndvështrimin e ruajtjes dhe konservimit, vlerësoi se marrëveshja, në tërësinë e saj, ka krijuar mekanizma garantues, pasi:

i)                   së pari, Fondacionit i përket vetëm administrimi i zakonshëm i pasurisë, ndërkohë që çdo veprimtari që kalon kufijtë e administrimit të zakonshëm dhe lidhet me ndërhyrjet ruajtëse dhe mbrojtëse në këtë pasuri i përket shtetit;

ii)                 së dyti, çdo akt i Fondacionit është subjekt i kontrollit të drejtpërdrejtë të organeve shtetërore sipas fushës së kompetencës të përcaktuar me ligj. Më konkretisht, Fondacioni nuk përjashtohet nga përmbushja e çdo detyrimi ligjor që ka sipas legjislacionit çdo entitet tjetër shtetëror apo publik, siç janë marrja e lejeve ose licencave përkatëse nga autoritetet kompetente për fillimin e punimeve ndërtimore apo ndërhyrjet ruajtëse dhe mbrojtëse në këtë pasuri, sipas marrëveshjes;

iii)               së treti, marrëveshja përcakton, gjithashtu, detyrimin e Fondacionit për të raportuar në mënyrë periodike për gjendjen e konservimit të pasurisë kulturore, ndërkohë që ministria ngre bordin e monitorimit, i cili mund të ushtrojë kontroll në vend për vlerësimin e gjendjes së konservimit të pasurisë.

Në përfundim, për sa më sipër, Gjykata, me shumicë votash, vendosi rrëzimin e kërkesës.

Lajme të ngjashme

Lajmet e fundit

FocusNews © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Contact Us