Presidenti amerikan Donald Trump në një konference për shtyp, ka treguar se ka ndërhyrë personalisht për të shmangur një konflikt të mundshëm mes Serbisë dhe Kosovës gjatë mandatit të tij të mëparshëm. Ai tha se i kishte bërë presion Beogradit, duke i paralajmëruar se nëse sulmonin Kosovën, atëherë do të ndalonte çdo marrëdhënie tregtare me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Kemi bërë shumë punë. Nuk e di nëse ka ndonjë president që ka punuar më shumë se unë. Serbia dhe Kosova, do të shkonin drejt saj, do të ishte një luftë e madhe. Unë thashë që, nëse ndodh kjo, ju nuk do të bëni tregti me SHBA-në. Dhe ata thanë që, shiko, ndoshta nuk do të shkojmë drejt asaj,” – deklaroi Trump, duke lënë të kuptohet se kërcënimi ekonomik funksionoi dhe parandaloi një konflikt të armatosur.