Laçi shpall NON GRATA Enea Jorgjin: Refuzojmë kategorikisht që ky arbitër të na gjykojë, çdo gjë e kishte tendencioze për të na dëmtuar

Laçi u mposht ditën e djeshme nga Egnatia, sfidë kjo që nuk ka kaluar pa polemika. Goli i fitores për rrogozhinasit u shënua në minutën e fundit të sfidës, gjë e cila solli edhe shumë pakënaqësi te bardhezinjtë.

Laçi pas kësaj disfate ka reaguar në rrjetet sociale, me klubin kurbinas që është i pakënaqur me arbitrimin e ndeshjes. Madje shpallin “Non Grata” arbitrin Enea Jorgji.

Vendimet dhe gjykimet e tij sipas klubit të Laçit ishin me tendencë për të dëmtuar ekipin.

“-REAGIM-

Pas përfundimit të sfidës së vlefshme për javën e 20-të Abissnet Superiore përballë Egnatias dhe pas përballjes me disa situata aspak të këndshme iniciuar nga arbitri kryesor i ndeshjes që mban dhe të ashtuquajturën stemë të FIFA-s, Klub Futboll Laçi shpall NON GRATA Enea Jorgjin.

Çuditërisht, Jorgji kishte “studiuar” dhe kishte rezervuar nga një karton të verdhë (të paqenë) për të gjithë lojtarët që rrezikonin të humbisnin ndeshjen e radhës duke treguar hapur tendecën për të dëmtuar ekipin.

Akoma më e rëndë dhe aspak profesionale për një arbitër të një niveli të “lartë” situata e krijuar me futbollistin Melo, ku përveç provokimeve ne fushë, kartonit të kuq që e kishte ndarë mendjen t’ja drejtonte akoma pa nisur sfida, nuk mungoi as trimëria e “tigrit” elbasanas në korridorin e stadiumit aty ku Jorgji preferoi të priste të “sqarohej” më tej me Melon dhe të shtonte dozën e ngacmimeve ndaj lojtarit.

Dikush t’i shpjegojë Jorgjit dhe të tjerëve si ai, që detyra e një arbitri në fushë është të mbajë nën kontroll lojën dhe të ulë gjakrat, jo ta bëjë baltë dhe të nxisë provokime duke detyruar protagonistët të dalin nga vetja.

KF Laçi dënon çdo sjellje të kryesorit të kësaj sfide gjatë ndeshjes së sotme dhe pas përfundimit të saj duke refuzuar kategorikisht që ky arbitër të drejtojë një ndeshje tjetër të ekipit tone”, shkruhet në postimin e Laçit.

Lajme të ngjashme

Lajmet e fundit

Contact Us