Me lot në sy dhe mjekrën që i dridhet, Najada Anamali e ka të vështirë të flasë në ditën e lamtumirës së bashkëshortit, dëshmorit Arben Anamali. Kaluan bashkë dy dekada dhe sollën në jetë dy fëmijë, djalin 17-vjeç, që sot i mban dorën dhe vajzën. Mes dhimbjes Najada tregon se momentin kur mësoi për incidentin në liqen, por nuk do ta besonte kurrë se Arbeni ishte e mbytur…
“E morëm vesh nga një koleg që punonte me Arbenin. Më tha në telefon, Ada hajde në Shirokë se ka pësu aksident Arbeni, mendova se është vra (dëmtu) jo se ka humb jetën. Ka qenë shumë mirë me shëndet, s’ka pas asnjë problem, s’ma mori mendja se është mbyt. Ai ishte i zoti në punën e tij. Dhimbja është shumë e madhe…. Nuk e mendova kurrë…!”, thotë Najada Anamali.
“Dhimbja është e madhe për nënën e tij që e kena në shtëpi, për mua, djalin e vajzën”, shprehet me tej Najada.
Najada do ta kujtojë gjithmonë të shoqin si njeriun me shpirt të madh që bënte gjithçka për të tjerët. Ashtu ndodhi dhe pasditen e së martës, kur kapiteni i anijes “Buna” u hodh në liqen për të shpëtuar jo 2 por 7 turistë.
Ata kishin hyrë për t’u larë në liqen dhe për shkak të erës rrezikuan mbytjen.
Kapiteni i kishte paralajmëruar për rrezikun, por turistët nuk e dëgjuan. Ai nuk i la vetëm, u hodh në liqen, i shpëtoi, madje duke hequr dhe jelekun prej trupit të tij.
“Ai edhe jelekun ua dha turistëve. Kanë qenë 5-7 turistë në ujë, numri i saktë s’dihet…por për ne është dhimbje e madhe. Ai bëri sakrificë…”, tha Nadaja Anamali.
Nipi, Mirsad Isufi kërkon që institucionet të mos e harrojnë aktin e tij sublim:
“Shpresojmë të mos harrohet dhe të respektohet si hero. Boll të ndihmohen fëmijët e tij, gruaja dhe nëna. Akti i tij… s’kena fjalë. Ishalla s’ka me u harru…”
Arben Anamali u shpall Dëshmor i Atdheut pas aktit heroik të sakrificës. Në ceremoninë mortore morën pjesë familjarë, qytetarë të Shkodrës dhe përfaqësues të pushtetit lokal e qendror. Ndërsa Presidenti Bajram Begaj dërgoi një letër ngushëllimi për familjen Anamali.





