Kryeministri dhe njëherazi kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, mbylli zyrtarisht fushatën elektorale të PS për zgjedhjet e 11 majit me një miting në Parkun Olimpik të Tiranës, ku përveç premtimeve dhe mesazheve politike, nuk munguan as ironitë në adresë të opozitës dhe strategut të saj ndërkombëtar.
Rama iu drejtua mbështetësve me një fjalim të gjatë dhe me tone therëse ndaj Partisë Demokratike, duke ironizuar kreun e PD, Sali Berisha, dhe strategun amerikan të fushatës së saj, Chris LaCivita. Ai e përshkroi LaCivitën si “Latifi” dhe Berishën si “bufi me kapelen e Donald Trump”.
“Në vend të shokut tim me pantallona verore ngjyrë bezhë, ishte bufi me kapelën e Donald Trump, i kërrusur dhe i rrudhur si ai shtrigani me Latifin”, u shpreh Rama, duke iu referuar me përçmim përfaqësuesve të fushatës së PD-së. “I vetmi që ka përfituar është vetë Latifi, që do largohet më i pasur se erdhi, në atë grumbull mbetjesh ku është i vetmi ‘rrotë same’, siç thonë kosovarët”, shtoi ai.
Rama u shpreh i bindur për fitoren e socialistëve në zgjedhjet e së dielës, ndërsa parashikoi edhe reagimin e opozitës: “Bufi do falënderojë për fitoren, por të hënën do fillojnë ankesat për vjedhje votash”, tha Rama.
Kryeministri e mbylli fjalimin mes entuziazmit të simpatizantëve, duke deklaruar se “fushata ka mbaruar, tani është koha e sovranit – popullit”, duke ftuar qytetarët të votojnë PS-në për të vijuar “ngjitjen drejt Europës”