Qeveria greke ka zëvendësuar katër ministrat që të premten dhanë dorëheqjen si pasojë e skandalit për abuzimin me fondet e Bashkimit Europian për bujqësinë.
Thanos Plevris nga partia nacionaliste Laos mori postin e ministrit të Migracionit, që ishte lënë nga paraardhësi i tij deri pak orë më parë, Makis Voridis.
Kryeministri Kyriakos Mitsotakis po ashtu emëroi Haris Theocharis si zëvendësministër i Jashtëm; Yiannis Andrianos si zv.ministër për Zhvillimin Rural dhe Ushqimin; dhe Christos Dermentzopoulos si zv.ministër për Qeverisjen Digjitale.
Emërimi i ministrit Plevris u prit me kritika nga partitë opozitare. “E Majta e Re” e quajti emërimin e tij “një mesazh urrejtjeje, racizmi dhe autoritarizmi”, ndërsa veçoi edhe një koment të ministrit Plevris nga e kaluara, se “siguria kufitare nuk mund të ekzistojë kur nuk ka viktima dhe, për të qenë i qartë, kur nuk ka vdekje”.
“Linja e djathtë ekstreme e Mitsotakis vazhdon e palëkundur me zgjedhjen e Thanos Plevris, një linjë johumane, pa krye dhe e frikshme për sa i përket çështjes së refugjatëve dhe imazhit të vendit,” tha partia Syriza në deklaratën për shtyp.