Lejuan trafikun e makinave të vjedhura/ Pezullohen 4 policë të Kapshticës! Sekuestrohen 130 mijë euro

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) ka pezulluar këtë të dielë nga detyra katër efektivë të Policisë Kufitare të Kapshticës. AMP bën me dije se ka pezulluar nga detyra katër efektivët, tre punonjës policie në Pikën Kufitare të Kapshtivcës, ndërsa tjetri Specialist për hetimin e krimeve në Komisariatin e Policisë Korçë. Sipas AMP, efektivët kanë shpërdoruar detyrën duke ndihmuar një 32-vjeçar të identifikuar me inicialet M.C, i cili trafikonte makina të vjedhura nga Greqia. Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar 130 mijë euro.

NJOFTIMI:

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Elbasan-Korçë) ka ekzekutuar urdhërin e Prokurorisë për ekzekutimin e vendimit të Giykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgiithshëm Korçë, e cila ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në burg” për shtetasin M.C., 32 vjeç, si i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Trafikimi i mjeteve motorike”.

AMP ekzekutoi gjithashtu vendimin e Gjykatës, për masën e sigurisë “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, si persona të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës” ndaj 4 punonjësve të policisë:

– Inspektor M.M., 32 vjeç, me detyrë punonjës policie pranë PKK Kapshticë;
– Inspektor S.L., 56 vjeç, me detyrë punonjës policie pranë PKK Kapshticë;
– Inspektor E.M., 35 vjeç, me detyrë punonjës policie pranë PKK Kapshticë;
– Nënkomisar M.A., 28 vjeç, me detyrë Specialist për hetimin e krimeve në Komisariatin e Policisë Korçë.

Nga hetimet e kryera me metoda proaktive në lidhje me këtë procedim penal, ka rezultuar se shtetasi M.C. ka trafikuar në Shqipëri automjete që rezutojnë të vjedhura në Greqi, duke iu bërë ndryshime në elementët identifikuese për t’i pajisur më pas me dokumente false, me qëllim shitjen në vendin tonë. Po kështu është arritur të dokumentohet me prova e fakte ligjore se punonjësit e Policisë, në shpërdorim të detyrës dhe në kundërshtim me aktet ligjore dhe nënligjore në fuqi, si edhe në shkelje të Procedurave Standarde të Punës, nuk kanë kryer verifikime mbi dokumentacionet e mjeteve, mungesat e prokurave apo autorizimet që duhet të dispononte shtetasi M.C. në momentin e futjes së këtyre mjeteve në territorin shqiptar.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 6 automjete të dyshuara të vjedhura, me vlerë 130 000 euro.

Materialet proceduriale i kaluan Prokurorisë Pranë Gykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë për veprime të mëtejshme.

Hetimet vijojnë për përfshirje të shtetasve apo punonjësve të tjerë të policisë në këtë veprimtari kriminale.

Lajme të tjera |  U shua Artan Lame, reagon Rama: Jam pa fjalë, lajm i pabesueshëm

Lajme të ngjashme

Lajmet e fundit

FocusNews © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Contact Us