Familja e viktimës Liridona Ademaj, e cila u vra një javë më parë, njofton se pas kërkesës së bërë, që të informohen nga Prokuroria për hetimet e vrasjes të së afërmve të saj, është mbajtur një takim në Prokurorinë Themelore të Prishtinës.
Vëllai i Liridonës, Leonard Ademaj me anë të një postimi në “Facebook” shkruan se sot në Prokurorinë Themelore të Prishtinës, ai dhe të afërmit janë informuar në lidhje me vrasjen e motrës së tij, brenda asaj që iu lejon ligji.
Ai tha se takimi ua lehtëson dhimbjen dhe iu ofron siguri më të madhe, se hetimet janë duke vijuar në mënyrë normale.
Postimi i Leonard Ademajt:
Sot mbajtëm takim në Prokurorinë Themelore në Prishtinë dhe u informuam rreth rastit të vrasjes së Liridonës tonë, brenda kufijve që lejon ligji. Ky takim na e lehtësoi dhimbjen dhe na ofroi një siguri edhe më të madhe që hetimet janë duke shkuar mirë. U dakorduam që tani e tutje do të kemi takime të rregullta informuese. Ne i shprehëm falënderimet hetuesve, prokurores së rastit dhe të gjithë prokurorëve që janë duke ndihmuar në zbardhjen e plotë të rastit. Ne besojmë në të gjitha institucionet e drejtësisë dhe mbesim me shpresë që rasti do të zgjidhet në mënyrë profesionale.
Naim Murseli dhe bashkëpunëtorët e tij sajuan një skenar grabitjeje me qëllim për të vrarë Liridonën mbrëmjen e 29 nëntorit. Teksa Murseli, Liridona dhe dy fëmijët po udhëtonin me makinë, ‘grabitësit’ u prenë rrugën dhe i ndaluan. Vetë Naim Murseli zbriti nga mjeti bashkë me dy fëmijët, duke lënë pas të shoqen që u qëllua për vdekje nga Plava. Dëshmia e tij ngjalli dyshime dhe bëri që autoritetet të hetonin më tej. Pamjet filmike të kamerave të sigurisë identifikuan Plavën e Kokallën, të cilët zbuluan se ishin paguar nga Murseli për të vrarë Liridonën. Arsyeja mbetet ende mister. Varianti i parë është ai i parave të sigurimit të jetës që mund të përfitonte Murseli në rast se të shoqes i ndodhte një fatkeqësi, ndërsa i dyti, fakti që Liridona mund të kishte dijeni për një sekret të errët të të shoqit.