Lëvizjet e befta të Ramës, kush hyri dhe kush doli nga qeveria. Manja dhe Mete humbin terren

Kur askush nuk e priste, kryeministri Edi Rama e ka nisur këtë vit të ri politik me dy ndryshime të rëndësishme në qeveri, që kanë efekt në disa dikastere. Lëvizja e parë e Ramës, në nisje të kësaj jave ishte emërimi i Blendi Gonxhjes në postin e ministrit për Ekonominë, Inovacionin dhe Kulturën, duke dhënë efekte të drejtpërdrejta në dy ministri të tjera.

E para është Ministria e Kulturës, e cila nuk do të jetë më e veçuar, dhe nga ana tjetër janë shkëputur Financa nga Ekonomia, që për ekspertët e fushës është një lëvizje e mirë por e vonuar nga Rama. Por lëvizjet sjellin impakt dhe te vetë titullarët e ministrive. Kështu Elva Margariti pasi ka drejtuar Ministrinë e Kulturës për pothuajse 5 vite, nga 2019, kur zëvendësoi Mirela Kumbaron, tashmë e gjen veten jashtë qeverisë. Nga ana tjetër, Ervin Metes i hiqet Ekonomia, duke qenë vetëm ministër i Financave.

Lëvizja e dytë e beftë e kryeministrit Edi Rama ka qenë krijimi i Ministrisë së shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, duke sjellë në qeveri Adea Pirdenin, një ministre pa peshë politike dhe elektorale. Deri tani Pirdeni kishte mbajtur detyrën e zv-ministres së drejtësisë, si dhe kishte qenë numri 2 në ekipin e Shqipërisë për çeljen e negociatave të anëtarësimit me BE. Antokorrupsioni deri tani kishte qenë një strukturë në varësi të ministrisë së Drejtësisë që kryesohet nga Ulsi Manja, dhe veçimi i saj si një portofol me vete, duket se flet dhe për dështimin e deritanishëm të kësaj drejtorie. Në muajt e parë kjo strukturë e nisi me bujë, ku vetë Manja dilte dhe deklaronte punonjësit e shtetit që dërgoheshin për ndjekje penale, por diçka në muajt e fundit duket se ka çeduar, dhe për këtë Rama e ka parë të udhës të ngjisë në qeveri Pirdenin.

Lajme të tjera |  "Djali dhe vajza e Berishës kanë bërë namin!"/ Argita Malltezi i përgjigjet Baton Haxhiut: Vazhdo fol me zogjtë, do të shkosh në gjyq!

“Politikat antikorrupsion të qeverisë duhet të harmonizohen më mirë mes institucioneve të ekzekutivit, me ekzigjencat e procesit sfidues të negociatave me BE për të gjitha institucionet e vendit, si edhe me vetë shoqërinë civile e sipërmarrjen”, deklaroi Rama teksa renditi luftën ndaj korrupsionit si një ndër prioritetet e qeverisë.

Sa i takon profilit politik të dy ministrave të rinj, ata shihen më shumë teknikë sesa politik, pavarëssht se Blendi Gonxhja ka qenë prej kohësh një prej njerëzve të besuar të Edi Ramës, që në kohën kur kryeministri ishte në krye të Bashkisë Tiranë. Ndërkohë që Pirdeni duket se i përket një brezi tjetër, që e ka nisur karrierën e saj në administratën publike, duke ngjitur shpejt shkallët dhe tashmë e gjen veten në postin e ministres. Me kalimin e viteve në pushtet, kryeministri Edi Rama ka zgjedhur gjithnjë e më shumë që të sjellë në qeveri figura të reja, dhe pa peshë politike, dhe duke zhveshur nga pushteti të gjithë kastën e socialistëve të vjetër. /ZËRI

Lajme të ngjashme

Lajmet e fundit

Contact Us