Pas kryeministrit britanik Keir Starmer, edhe presidenti francez Emmanuel Macron ka bërë të ditur telefonatën nga Tirana me kreun e Shtëpisë së Bardhë, Donald Trump.
Në një postim në rrjetet sociale, kreu i Elizesë shprehet se presidenti Putin ka dështuar t’i përgjigjet propozimit për një armëpushim të pakushtëzuar të bërë nga amerikanët dhe të mbështetur nga Ukraina dhe evropianët. Sipas tij Rusia po tregon se nuk dëshiron paqe dhe po përpiqet të fitojë kohë duke vazhduar luftën.
“Sapo patëm një bisedë telefonike me Presidentin Trump nga Shqipëria. Edhe një herë, presidenti Putin ka dështuar t’i përgjigjet propozimit për një armëpushim të pakushtëzuar të bërë nga amerikanët dhe të mbështetur nga Ukraina dhe evropianët. Duke refuzuar armëpushimin dhe dialogun me Ukrainën, Rusia po tregon se nuk dëshiron paqe dhe po përpiqet të fitojë kohë duke vazhduar luftën”, shkruan Macron.
Më tej presidenti francez shprehet: “Në këtë kuadër, ndërsa Komuniteti Politik Europian mblidhet në samitin e Tiranës, ne do të vazhdojmë të koordinojmë me partnerët tanë europianë, me Shtetet e Bashkuara dhe koalicionin e të gatshmëve, për të përcaktuar një përgjigje të bashkërenduar”.
Liderët evropianë janë pajtuar me presidentin e Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, se qëndrimi i Rusisë në bisedimet për armëpushim është i papranueshëm dhe kanë për qëllim ta përgatisin një përgjigje.
Gjatë samitit në Tiranë, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha se vendi i tij është i përkushtuar për t’i dhënë fund luftës me Rusinë, por u bëri thirrje liderëve evropianë t’i ashpërsojnë sanksionet ndaj Kremlinit, nëse presidenti Vladimir Putin vazhdon t’i zvarrisë bisedimet për armëpushim.