Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka reaguar pas ndryshimeve në ligjin për Komisionet Hetimore Parlamentare, duke akuzuar kryeministrin Edi Rama se i trembet transparencës.
Basha thotë se transparenca për aferat korruptive ku është zhytur qeveria e Ramës do të bëhet me patjetër, dhe sipas tij këtë nuk ka karton dhe makinacion që e ndal.
Reagimi i plotë i Bashës:
Ai që nuk ka asgjë për të fshehur nuk i trembet transparencës.
Makinacionet e Edi Ramës për ti pamundësuar opozitës transparencën e aferave korruptive përmes komisioneve hetimore tregojnë frikën e tij nga e vërteta. Por transparenca për aferat korruptive ku është zhytur sot qeveria, që po varfëron dhe detyron shqiptarët të largohen do të bëhet me patjetër.
Sot gjysma e qeverisë është në dyert e drejtësisë e prapa hekurave, dhe të gjithë ata që kanë abuzuar, së shpejti do të japin llogari për aferat e tyre korruptive.
Kohës së pandëshkueshmërisë po i vjen fundi, kartonat e Edi Ramës nuk e ndalin dot.