“Linjë kredie 250 mln euro me BSH”, Rama, mesazh bankave të nivelit të dytë: Do jepet me interes deri në 2 përqind, jo 3.5

Kryeministri Edi Rama ka dhënë një mesazh dhe për bankat e nivelit të dytë lidhur me kredinë për bujqësinë në fjalën përmbyllëse pas dialogut “Bujqësia dhe Zhvillimi Rural”, të zhvilluar mes fermerëve dhe sipërmarrësve në sektor.

Rama theksoi se interesi duhet të jetë nga 0.5 deri në 2 përqind sepse sipas tij, bankat e kanë firmosur këtë kontratë me shtetin.

“Është bërë një punë nga ministri i Financave dhe e Sipërmarrjes dhe është arritur që me këmbëngulje nga qeveria të krijohet një linjë kredie e Bankës së Shqipërisë, 250 mln euro, ku ajo është për të gjitha ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, por që fokus ka bujqësinë. Tani që ne ta kemi këtë linjë kredie nga BSH dhe të aksesohet fuqimisht, duhet nivel i lartë informimi për fermerët dhe nga ana tjetër një mesazh i qartë për bankat e nivelit të dytë të cilat e kanë firmosur për të dhënë kredi nga 0.5 përqind në 2 përqind, jo në 3.5, apo jo. Ajo është për të gjitha, tani flas për bujqësinë, 3.5 është ndërmarrje të tjera.

Asnjë presje më shumë, duhet të jenë shumë të qarta bankat e nivelit të dytë sepse e kanë firmosur këtë gjë dhe përsa i përket riskut është garancia e qeverisë, duhet të jetë dhe bashkëpunimi dhe mbështetja e pushtetit vendor në këtë proces. Edhe për këtë arsye ne kemi folur më parë që të ngarkojmë njësitë e qeverisjes vendore në sipërmarrjen bujqësore, e bëjnë të gjitha bashkitë e planetit. Drejtuesit e qarqeve të bëjnë punën e tyre ku të krijojmë nuklin e parë. Kemi bashkinë e Roskovecit që ka bërë hapa në këtë drejtim”, tha Rama.

Gjatë fjalës së tij, Rama u shpreh se qeveria do të jetë aktive në krijimin e skemave të bashkëpunimit me sipërmarrjen, për të rritur të ardhurat. Kreu i qeverisë tha se po ndërtohet një proces i ri, ku qeveria do të jetë pjesë e forcave në sektorin e naftës, pra që do të ndërhyjë për të vendosur një ekuilibër të ri çmimi.

Lajme të tjera |  ZYRTARE/ Mbyllet rinumërimi i kutive të Fierit, Zegjine Çaushi humb mandatin!

Ai paralajmëroi se qeveria do bëhet pjesë e importit të naftës dhe kjo do krijojë kushtet, që çmimi i naftës në vend të jetë më i arsyeshëm.

“Problemi i naftës u ngrit përsëri dhe mendoj që na duhet ta rishikojmë këtë skemë, por ne po përgatitemi të ndërhyjmë në sektorin e naftës, në kuptimin që thashë më parë që qeveria do të jetë shumë aktive në krijimin e kushteve dhe skemave të bashkëpunimit me sipërmarrjen dhe të bashkëpunimit me faktorët ekonomik për të rritur të ardhurat jo të vetat, por të njerëzve. Na duhet që të ndërtojmë një proces të ri dhe po e përgatisim ku qeveria do të jetë pjesë e forcave në sektorin e naftës që do të thotë që ne duam të ndërhyjmë për të vendosur një ekuilibër të ri çmimi për konsumatorët.

Kjo është diçka që e kemi studiuar për një kohë të gjatë dhe besoj që brenda këtij viti do të jemi pjesë në importin dhe shpërndarjen e naftës, në bashkëpunim me të gjithë aktorët e tjerë të cilët do jua bëjnë jetën më të lehtë sepse do të mund të kenë qeverinë si garante të importit dhe të furnizimit me naftë, gjë që do të na vërë ne në poziotën që do të mund të përcaktojmë një çmim më të arsyeshëm se çmim i aktual i naftës në Shqipëri”, tha Rama.

Rama ndër të tjera tha se lidhur me këtë gjë, ka ardhur koha që të veprohet në një mënyrë tjetër që të shikohet edhe ulja e kostove.

“Çmimi lidhet me përbërjen që ka çmimi edhe për shkak të taksës së qarkullimit, por ka ardhur koha të veprojmë në një mënyrë tjetër dhe do të jetë një e mirë e madhe se duke marrë pjesë qeveria edhe politika e naftës për sektorin bujqësor do të jetë ndërtuar ndryshe. U tha shumë qartë që ndërkohë që shikojmë të gjitha këto aspekte duhet të shikojmë edhe uljen e kostove”, tha Rama.

Lajme të ngjashme

Lajmet e fundit

Contact Us