Lionel Messi kudo që të luajë dhe kudo që të shkojë sërish do të mbetet ishulli më i madh i tifozëve të Barcelonës. Argjentinasi ka shkruar historinë me katalanasit, ndërsa ka fituar cdo trofe të mundshëm në “Camp Nou”.
Largimi i tij nga Barça në vitin 2021 ndoshta nuk ishte i goditur, teksa më pas kaloi 2 vite te PSG-ja. Por në fund të kontratës me parizienët u mendua dhe u shpresua nga shumë tifozë, por edhe nga vetë sulmuesi një rikthim në “Camp Nou”.
Në fakt kjo ishte një dëshirë e “Pleshtit” për të riveshur sërish atë fanellë, por siç vetë Messi ka theksuar, gjithçka ishte e pamundur. Ndër të tjera ka folur edhe për mundësinë e pjesmarrjes së tij në Kupën e Botës 2026.
“Kisha ndërmend të kthehesha te Barcelona dhe të shkoja në një vend ku gjithmonë kam dashur të jem, por nuk ishte e mundur sërish.
Pas kësaj, u bë një vendim familjar. Fakti që fituam Kupën e Botës pati gjithashtu një ndikim të madh. E kisha të qartë që nuk doja të isha në një skuadër tjetër në Evropë, nuk doja të shkoja te asnjë prej tyre.
Kupa e Botës 2026? Sigurisht që mendoj për Kupën e Botës dhe mundësinë për të qenë atje, por jetoj dita-ditës. Duhet të jem i sinqertë me veten për të kuptuar nëse mund të jem apo jo. Më pëlqen ajo që bëj, jam rritur me një top dhe do të jetë gjithmonë kështu, përtej të qenit lojtar apo jo. Për aq kohë sa mundemi, më pëlqen”,ka theksuar në një intervistë së fundmi argjentinasi.