“Lufta e heshtur” brenda PD, kandidatët duan rinumërim të votave, Berisha ua premton: Do ju mbështes!

Një re paqartësie ka mbuluar Partinë Demokratike dhe kandidatët që luftuan me ato që opozita e cilëson si “bandat kriminale” për të siguruar vota për veten dhe subjektin që ata garuan në zgjedhjet parlamentare të 11 majit. Partia Demokratike ka dalë kundër kandidatëve të saj që kërkuan rinumërim të votave preferenciale! Kërkesa e Ilir Alimehmetit, Mimoza Hajdarmatajt, Lisandër Hoxhës dhe Ilirjana Kuçanës është rrëzuar mbrëmjen e djeshme në Komisionin e Ankesave dhe Sanksioneve. Ligji e thotë qartë që ata nuk mund të kërkojnë hapje kutish dhe rinumërim të votave preferenciale, pa marrë një “ok” edhe nga Partia, në këtë rast, Partia Demokratike. Të cilin nuk e kanë marrë deri më sot. Në vendimin e dhënë dje, kërkesat e asnjë prej kandidatëve nuk mund të legjitimohen si palë ankuese për kërkesat për rinumërimin e votave të tyre.

Çfarë kërkuan kandidatët?

Ilir Alimehmeti, Mimoza Hajdarmataj, dhe Lisandër Hoxha kërkuan rinumërimin e votave në Tiranë. Secili prej tyre kishte sqaruar se kishin dyshime për parregullsi në numërimin e votave, që sipas tyre mund të ndikonin në ndryshimin e rezultatit e renditjes në listën e hapur. Nga të gjithë ata që kanë bërë ankimime, diferenca mund të bëhet vërtetë për mjekun Alimehmeti, i cili ende kërkon një vend në Kuvendin e Shqipërisë, edhe pse kandidatja më e afërt me të, Jorida Tabaku, është në një avantazh prej 2 mijë votash. Prakikisht, të gjithë kandidatët pretendojnë se votat e tyre u kanë kaluar të tjerëve, ndaj edhe duan rinumërim. Secili ka dorëzuar ankimimin në KAS dhe çështja u shqyrtuar dje. Në mbledhje, betëm përfaqësuesi Ilir Rusmali votoi pro, që kandidatët të kishin të drejtën për të kërkuar rinumërimin e votave të tyre. Përfaqësuesit Koli Bele e Elvin Lako nga PS, madje edhe ata të Partisë Demokratike, Ledio Braho e Elvis Çefa dolën kundër me pretendimin se nuk mund të shkelnin Kodin Zgjedhor.

“KAS shqyrtoi elementet e formes dhe te permbajtjes se kerkesave ankimore te kandidateve: Mimoza Hajdarmataj, Ilir Alimehmeti, Lisander Hoxha, Ilirjana Kuçana. KAS vendosi rrezimin e kerkesave/mos kalimin per shqyrtim,”-njoftoi KQZ, pas shqyrtimit.

Kështu duket se shfaqet edhe përplasja e brendshme, që deri më tani duket se ende nuk ka dalë në sipërfaqe…

Një sqarim të përcipëtë për situatën e krijuar e ka bërë sot në një konferencë për shtyp, kryedemokrati Sali Berisha. Sipas këtij të fundit, anëtarët e Partisë Demokratike në KAS kanë vepruar konform ligjit. Por nuk ndalet vetëm me kaq! Berisha thotë se PD do të ishte e gatshme se do t’i mbështetëse ligjërisht kandidatët, nëse do të dorëzonin ankesën e tyre pranë përfaqësuesve të opozitës në KQZ.

“Në vitin 2019, një ndryshim i kodit zgjedhor, por e vërteta i mbështetur nga Komisioni i Venecias dhe ODIHR-i, ka hequr të drejtën e kandidatëve që të paraqesin ankesa të kësaj natyre. Nuk ekziston ajo e drejtë nga viti 2019 e këndej për kandidatin. Komisioni i Venecias, ODIHR dhe kodi ynë, këtë të drejtë ua njohin subjekteve politike. Subjektet politike investohen edhe për kandidatin. Këta kandidatë të nderuar kanë ndjekur një rrugë të këshilluar, nuk mund të them pasi përfaqësuesit tanë ua kanë bërë të qartë edhe interpretimin e thirrjes time, që duhet t’i bëjnë nëpërmjet partisë, por brenda platformës së miratuar nga partia. Në ç’kuptim? Në qoftë se partia ka kërkuar paligjshmërinë e zgjedhjeve, e para kërkesë që shqyrtohet është paligjshmëria. Pas kësaj, partia merr dhe paraqet një nga një kërkesat e kandidatëve. Disa kandidatë që kanë kërkuar rinumërim i kanë depozituar pranë përfaqësuesve të partisë në KQZ dhe presin momentin e vlerësimit që partia ka për X qark dhe pastaj do paraqiten ankesat e tyre. Edhe për kandidatët e Tiranës, ata u informuan dje përsëri se rruga që kanë ndjekur është një rrugë që nuk ka mbështetje ligjore. Përfaqësuesit tanë në KAS kanë zbatuar ligjin. Ata nuk mund të votonin për një akt që është hequr me ligji. Këta të katërt kanë të drejtë të depozitojnë ankesën tanë pranë përfaqësuesve tanë në KQZ dhe ata do e paraqesin siç dëshirojnë kërkesën pranë KQZ-së. Pra, ka qenë vetëm një keqkuptim nga ana e tyre. Në qoftë se nga unë është thënë dy herë se çdo kandidat që mendon se i duhet transparenca, do mbështetet nga partia, duhet të respektojë këtë platformë që ka përcaktuar partia në përputhje me ligjin elektoral,”-tha Berisha sot, por nuk sqaroi asgjë në fakt.

Që kandidatët e Partisë Demokratike kërkojnë rinumërim, kjo nuk është më një risi! As për mediat dhe as për kryedemokratin Sali Berisha.

Lajme të tjera |  Shkëlqimi dhe rënia e partisë së Ilir Metës! E fortë vetëm pranë pushtetit

Vetëm pak ditë më parë, Partia Demokratike, vetë Franc Nuri, lajmëroi për mediat se do të kërkonte rinumërim të votave për të “nxjerrë” mandatin e kandidatit për deputet në qarkun e Tiranës, Ilir Alimehmeti. Përfaqësuesi ligjor i Partisë Demokratike në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Franci Nuri u prononcua për “Top Channel” dhe u shpreh se në KQZ, kërkesa për rinumërim do të fokusohet tek rivlerësimi i fletëve të votimit që janë cilësuar si të pavlefshme, me qëllim që të “merrej” edhe mandati për mjekun Alimehmeti.

“Rezultati është mjaft i ngushte ne lidhje me mandatin e 14-të/ Mandati është diskutim mes Partisë Demokratike Aleancës për Shqipërinë Madhështore dhe partisë së z. Agron Shehaj. Fletët e pavlefshme janë një opsion, nuk mund te anashkalohen, pasi janë rreth 17-18 mije fletë votimi te pavlefshme ne gjithë qarkun e Tiranës dhe patjetër qe duhet te jene pjese e shqyrtimit dhe vlerësimit ne gjykimin tonë,”-shprehet Franci Nuri, përfaqësues ligjor i PD.

Jo vetëm kaq! Edhe drejtuesi politik për Tiranën, Belind Këlliçi zbuloi se PD do ta ankimojë vendimin e KQZ për kryeqytetin dhe do të kërkojë rishikimin e votave të pavlefshme. Sipas Këlliçit, në Tiranë ka pasur mbi 17 mijë vota të pavlefshme, dhe rivlerësimi i tyre do të sjellë mandatin e mjekut Ilir Alimehmeti, i cili është humbur për 100 vota.

“Në diasporë ka pasur kuti me rezultat 97% në favor të Partisë Socialiste. Kjo ka ndodhur me votat e Greqisë. Një ekspert kaligrafie do ta evidentonte se është një dorë që ka plotësuar qindra vota. PS ka humbur vota në Tiranë. Ka rreth 18 mijë vota më pak. Por për shkak të pjesëmarrjes së ulët në votim dhe partive të reja… Mandatin e fundit e kemi humbur për një grusht votash dhe nuk do të dorëzohemi. Do të bëjmë një kërkesë, janë 17 mijë vota të pavlefshme në Tiranë. Të mjaftueshme për të marrë mandatin e tij dhe një tjetër. Dyshojmë se ka manipulime në votat e pavlefshme,”-tha Këlliçi në A2CNN.

Pra, lajmi që Alimehmeti do të ankimonte vendimin, edhe me “bekimin” e PD, nuk ka qenë një lajm i ri për partinë opozitare.

Por çfarë ka shkuar gabim? Përse në momentin e fundit nuk e kanë marrë mbështetjen që iu premtuar publikisht?

Flasin protagonistët…

Tashmë për të shprehur ankesat e tyre, edhe me “tradhëtinë” që u është bërë nga partia, kandidatët demokratë kanë zgjedhur që të flasin hapur. Mbi ta, vërvitet dyshimi se PD nuk po i mbështet për të bërë transparencë, për shkak se votat janë “trafikuar” tek kandidatë të tjerë. Të paktën, këto janë dyshimet e Ilirjana Kuçanës dhe Ilir Alimehmetit. Të dy janë prononcuar për “ReportTv”, duke u shprehur se kërkojnë rinumërim.

Ilirjana Kuçana: Kam kërkuar sot në KAS që si kandidate për deputete në qarkun e Durrësit, duke parë parregullsitë, pas vëzhgimit të pamjeve filmike kam evidentuar ndryshim të vullnetit të qytetarëve durrsakë, kam kërkuar rinumërimin në disa KZAZ në qarkun e Durrësit. Kam fakte, kam parë pamjet pamjet filmike. Kam kuti të identifikuar që është tjetërsuar vota ime dhe i është kaluar kandidatëve të tjerë. Unë kërkoj të rinumërohen votat e mia pasi është tjetërsuar vota në drejtimin tim, dhe është tjetërsuar edhe brenda partisë sime. Këtë betejë do e bëj për demokratët, vullnetin e tyre, do i shkoj deri në fund, do ta ankimoj në Kolegj Zgjedhor në Kushtetuese, deri në institucionet ndërkombëtare, në mënyrë që vota e qytetarëve të numërohet drejtë. Kushdo qoftë emri unë do ta denoncoj dhe do t’i shkoj deri në fund, se kjo gjë duhet të marrë fund. Lufta e brendshme, nuk është hera e parë që e kam ndjerë edhe brenda forcës sime politike, por nuk e kam pasur problem luftën kundër kundërshtarëve, kam pasur përballë banda kriminale, ata që më ndjekin e dinë që u shkoj betejave deri në fund. Sa i përket pjesës që më takon mua, kam bindjen se s’do më mungojë ky suport. Nëse do të kishte ndodhur ndryshe, kam marrë masa të tjera që janë edhe partitë e vogla, ku mund t’i hapim edhe me partitë e vogla. Ka gjithmonë zgjidhje, por nuk më mungon suporti nga partia ime.

Ilir Alimehmeti: Defakto nuk u morën me kërkesat tona, përmbajtjen e provave, u morën me një artificë të pakuptimtë që është “subjekti duhet të kërkojë rinumërim”, ndërkohë që kryetari i PD është shprehur pro. Kaq di nga seanca, thelbi është që nuk bazohet ke provat e dërguara por te një artificë. Presim për hapat e tjera. Unë vetë në prova kam evidentuar shifra gabim në proces-verbale. Kemi parë edhe disa kamera, parregullsi në qindra vota jo vetëm të miat, që në video janë ndryshe nga proces- verbali. Nëse subjekti politik duhej të dërgonte një shkresë, duhet të na e thonin.

Teksa përballet me këto qëndrime të kandidatëve, Berisha thotë se ka dhënë udhëzim që çdo kandidat që kërkon transparencë, t’i jepet mbështetje nga partia.

Lajme të tjera |  "Nxehen" çmimet në bregdet, stepen blerësit e huaj

“Deklaratat e mia publike kanë qenë dhe janë që partia do i mbështesë. Në qoftë se partia tjetër nuk i lejoi, siç e dini, e kundërta është qëndrimi ynë. Ne mbështesim cilindo që kërkon transparencë dhe gjen argumente. Kjo është. Aty ka pasur vetëm një keqkuptim nga ana e tyre. Ata nuk duhet të humbasin kohën, t’i paraqesin ato që kanë paraqitur në KAS, pranë përfaqësuesve tanë në KQZ, që përfaqësuesit tanë për qarqet që kanë marrë vendime për vlefshmëri apo pavlefshmëri, të procedojnë me shqetësimet e tyre,”-shtoi Berisha në daljen e sotme.

Por është e paqartë përse nuk është dhënë kjo mbështetje që është premtuar publikisht! Për më tepër që mund të faktojë atë që opozita pretendon se ka ndodhur në zgjedhjet parlamentare të 11 majit; masakrën zgjedhore. Brenda Partisë Demokratike mund të ketë ndodhur keqkuptimit, ose e ashtuquajtura “lost in translation”, pra kandidatët dhe partia mëmë mund të mos jenë rakorduar siç duhet…por, mund të jetë edhe e kundërta. A mund të jetë ky një skenar për të fshehur faktin se ka pasur vota të tjetërsuara për luftën brenda llojit? Për këtë çështje, Partia Socialiste ishte më e qartë. Vetë kryesocialisti Edi Rama ua ndaloi kandidatëve të tij që të kërkonin rinumërim, apo pamjet filmike, kështu çështja u mbyll brenda ditës. Ndërsa me opozitën duket se janë dy qëndrime që nuk përkojnë me njëra-tjetrën. Në të njëjtën deklaratë, Berisha pretendon se janë vjedhur votat edhe në kuti, dhe po në të njëjtën ditë, opozitarët nuk lejohen që të rinumërojnë ato vota që përveçse për ta nominalisht, shkuan edhe për koalicionin. Vetëm Alimehmeti i ka dhënë gati 20 mijë vota nga mbi 500 mijë në total.

Situata është e paqartë, por duket se tensionet dhe pakënaqësitë po dalin në sipërfaqe. Mesa duket, demokratët ndjehen të vjedhur…edhe nga vetë kolegët e tyre. Tek e fundit, luftohet për një karrige.

Lajme të ngjashme

Lajmet e fundit

Contact Us