Vangjelis Zabuni është ekzekutuar nga vrasës me pagesë, të cilët dyshohet të jenë shqiptarë. Mafiozi i rrezikshëm grek që njihej dhe me nofkën “sallami”, sipas hetimeve të deritashme, është ekzekutuar në të njëjtën formë brutale si Vassilis Roubetis, i njohur edhe me pseudonimin “Rambo”, ngjarje e ndodhur më 9 qershor të vitit 2023. Ashtu si edhe në rastin e Zabunit, autorët dogjën mjetin e përdorur në krim, brenda të cilës u gjetën dhe armët e përdorura. Makina “Lexus” që përdorën dy personat që vranë 44-vjeçarin në Athinë, rezulton e vjedhur në Milano, me targa false që përputheshin me një automjet të të njëjtit lloj dhe ngjyrë. Zabuni ka qenë i dyshuar si i përfshirë në vrasjen e Manolis Karagiannis, gjithashtu një kumbar i njohur i krimit, i cili u vra në fund të qershorit të vitit 2018, në kuadër të një lufte të nisur me kriminelin Vasilis Grivas.
Mediat greke publikuan edhe videon momenti i vrasjes së Vangjelis Zabuni, një mafioz grek mjaft i njohur në botën e krimit. Siç shihet edhe në pamje, 44-vjeçari hipën në makinë, por nuk largohet direkt. Ai qëndron brenda mjetit duke pritur dhe vetëm pak sekonda më vonë, autorët parkohen pas tij. Një prej tyre, i veshur totalisht me të zeza dhe i maskuar në fytyrë, del nga makina e me kallashnikov në dorë, afrohet nga dera e shoferit e nis breshërinë e plumbave. Ndërsa tjetri, gjithashtu i maskuar, qëllon nga pas. Dyshja ndalojnë për një çast dhe më pas hapin derën e shoferit e nisin të qëllojnë sërish në drejtim të Zabunit, për tu bindur që kishte vdekur. Më pas, largohen duke lënë pas 44-vjeçarin e pajetë dhe mjetin e shkatërruar nga plumbat.
Ngjarja ndodhi më 13 janar në rrugën “Ilia Iliu” në Athinë. Zabuni ishte me një “BMW” të blinduar, por autorët, nga ajo që është raportuar deri më tani, kanë përdorur kallshnikovë me plumba blindshpues. Në vendngjarje janë gjetur 97 gëzhoja. 44-vjeçari kishte armë me vete në makinë dhe në brez, por nuk mundi që t’iu kundërpërgjigjej autorëve.
Zabuni i kishte shpëtuar një tjetër atentati disa vite më parë. Ai merrej me kontrabandë të karburanteve dhe pijeve alkoolike si dhe gjobëvënie.