Maji i ZGJEDHJEVE! Pas 10 ditëve Shqipëria voton…përplasje fizike, akuza dhe arrestime. Politika në aksion, SPAK vëzhgon

1 maj! Shqipëria ka hyrë zyrtarisht në muajin e zgjedhjeve. Pas më pak se dy javësh, qytetarët do të ushtrojnë të drejtën e tyre Kushtetuese, atë të zgjedhjes së qeverisë për 4 vitet e ardhshme. Në këto zgjedhje parlamentare, Partia Socialiste kërkon mandatin e katërt, për të shënuar historinë si forca e vetme politike në vend që është zgjedhur aq herë për t’u shërbyer qytetarëve. Nga ana tjetër, Partia Demokratike kërkon rikthimin në pushtet, me premtimin se do ta bëjë Shqipërinë Madhështore. Në të njëjtën kohë, partitë e reja kërkojnë të provojnë se  më votën që do të marrin më 11 maj, se qytetarët janë të lodhur nga klasa e vjetër politike dhe kërkojnë më shumë. Gara tashmë është e hapur! Dhëmb për dhëmb, përveçse me partitë kundërshtarët, kandidatët për deputetë (sidomos ata në listat e hapura) luftojnë për një mandat. E po aq sa e ashpër është lufta me kundërshtarin, aq më e ashpër është edhe lufta brenda llojit.

ZËRI sjell një panoramë të shkurtër lidhur me atë që po ndodh në këtë fushatë! Nga përplasjet, tek akuzat, tek batutat dhe stili i fushatës, që kësaj here duket se ndryshon jo pak…

PËRPLASJET BRENDA LLOJIT

Si në çdo fushatë (edhe kjo e 11 majit nuk do të bënte përjashtim), kandidatët duan me çdo kusht që të jenë në Kuvend. Ndërsa mund të jenë më të hapur për të sulmuar kundërshtarët e tyre, duket se nuk kanë ngurruar që të shprehin hapur pakënaqësitë edhe për kolegët e tyre. Por ky tipar është vënë re më shumë në kampin socialist. Më i zëshmi është kandidati për deputet në Tiranë, Erion Braçe. Ai u hoq nga zona e vetë elektorale (Lushnje, Fier) vetëm pak javë para dorëzimit të listave. Në një terren të ri, me një elektorat ndryshe nga ai i bujkëve dhe jo vetëm, Braçe ka qenë i hapur për kritikat e tij. Sidomos për shumë punë që duhet të ishin bërë nga Bashkia e Tiranës. Ai flet për hapësirat publike, por edhe për çdo gjë që nuk shkon. Por mesazhin më të fortë e ka dhënë për Anila Shehun, ish-drejtuese e PS në njësinë 5, e cila sipas deputetit është duke e copëtuar PS në këtë zonë, se po kërcënon kryetarët dhe anëtarët e PS në këto organizata deri edhe në vendin e punës. Këtë të fundit e paralajmëroi edhe me kallëzim penal. Për garën brenda llojit kanë folur edhe Mimi Kodheli, Pandeli Majko apo edhe Fatmir Xhafaj, por publikisht e vetmja gjë që kanë kërkuar është sensi i respektimit të etikës mes kolegëve. Të paktën kjo është thënë publikisht!

Ndryshe nga socialistët, demokratët në këto zgjedhje janë treguar më të përmbajtur (edhe këta të paktën publikisht). Mes opozitës e vetmja përçarje duket se është ajo mes Monika Kryemadhit dhe eksponentëve të Partisë së Lirisë. Edhe pse tashmë e divorcuar nga Ilir Meta, ajo vazhdon fushatën për ta nxjerrë deputet, por nuk harron që të sulmojë “ata” (të cilët nuk u referohet me emër) që i ndanë. I vetmi emër që e ka përmendur tërthorazi është Tedi Blushi, krahu i djathtë i Ilir Metës. Por sërish tërthorazi! Fokusin duket se e ka të qartë…

AKUZA, AKUZA, AKUZA

Por nëse akuzat brenda llojit mund të kenë qenë të moderuara, për kundërshtarët kanë qenë hera—herës brutale! Kryeministri Edi Rama vijon që në të gjitha daljet e tij publike t’i referohet opozitës si “këneta” dhe kryedemokratit Sali Berisha,  si “bufi”. E tillë ka qenë retorika e tij deri më tani, ndërsa në çdo takim kujton fitoret e socialistëve dhe gabimet që demokratët kanë bërë në pushtet. Kryedemokrati Sali Berisha nga ana tjetër, nuk është kursyer me askënd, por më kryesisht me bandat kriminale. Në çdo qytet që shkel i përmend me emër dhe i paralajmëron se me ardhjen e tij në pushtet do të shpallen “organizata kriminale”. Për ta mesazhi është i thjeshtë: Jo, presion qytetarëve për votën! Pas bandave kriminale, akuzat janë të njëjtat dhe më të elaboruara për të gjithë eksponentët e lartë të Partisë Socialiste. Edhe mes partive të reja ka pasur përplasje dhe akuza, madje një ka përfunduar edhe në SPAK. Kreu i Partisë “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj ka hedhur në gjyq kreun e Partisë “Mundësia”, Agron Shehajn.  Lapaj e ka paditur për shpifje pas deklaratave publike të bëra nga Shehaj. Ky i fundit e akuzoi Adriatik Lapajn se kishte marrë 45 milionë lekë nga kompania “Merkaj 3 shpk”, e sekuestruar nga SPAK pasi përdorej për të pastruar paratë e grupit kriminal të “Çopjave”.

Lajme të tjera |  REPLIKAT në fushatë/ "Do ju hamë të gjallë" e "çyryk", Alizoti -Ramës: Ti je pasardhës i gjysmëopingës

ARRESTIMET PËR VOTA-HETIMET E SPAK

Sa i përket fenomenit “blerja e votës” duket se epiqendra ka qenë Fieri. Në Lushnje është bërë arrestimin i parë! Drejtuesi politik i Partisë Demokratike për qarkun e Fierit, Gazment Bardhi ka bërë një denoncim në Strukturën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, me pretendimin se qytetarët e kishin informuar se po qarkullonte një listë me qindra emra votuesish të gjeneruar nga shtabet elektorale të Partisë Socialiste. Disa ditë më parë, Policia e Lushnjes bëri arrestimin e parë me dyshimin për blerje votash. Gjithçka nisi pas denoncimit në komisariat të një qytetari, se një person i quajtur Marin Leka me banim në Lushnjë, i kishte premtuar t’i jepte 50 mijë lekë të rinj në total (ose 500 euro), nëse ai dhe familja e tij, votonin më 11 maj, për një subjekt politik. Personi që i dha kartën e identitetit e kallëzoi më pas në Polici. Për këtë rast, maxhoranca akuzoi opozitën dhe e anasjelljta. Edhe së fundmi, u shoqërua xhaxhai i kandidates për deputete të Partisë Demokratike në Fier, Silva Hasaj. Atij iu gjet një bllok me shënime në lidhje me zgjedhjet. Bardhi, përmes një postimi në rrjetet sociale hodhi akuza se po ushtrohej presion.

Përtej akuzave dhe kallëzimeve, zyrtatisht Prokuroria e Përgjithshme ka regjistruar 14 kallëzime penale për vepra që lidhen me procesin zgjedhor. Sipas një njoftimi zyrtar, rastet janë regjistruar në Tiranë, Fier, Sarandë, Durrës, Elbasan dhe Gjirokastër. Por vetëm 2 raste prej kallëzime janë dërguar në Strukturën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. SPAK tashmë po heton në Durrës dhe Fier, se kë, ende nuk dihet. Ndërsa Prokuroria e Posaçme ka hetues dhe agjentë në terren, ka pasur edhe përplasje. Në Fier, familjarët e Agron Kapllanajt janë përplasur me agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe tashmë akuzohen për dhune. Përplasje mes kandidatëve ka pasur edhe në Dibër. Xhelal Mziu dhe nipi i tij janë përplasur fizikisht me një punonjës të administratës. Tashmë, për këtë çështje do të hetojë SPAK!

STIL DHE FUSHATË

Lajme të tjera |  Vaji i ullirit mbetet sërish stok, eksportet bien 75% për periudhën janar-mars

Përtej akuzave, kjo fushatë ka qenë interesante edhe për stilin që kanë përqafuar partitë. Kryeministri Edi Rama ka veshur “uniformë” me një yll, numrin 5 në çdo detaj dhe syzet e tij ngjyrë rozë. Kështu u kujton qytetarëve se për kë numër duhet të votojnë, që sipas tij, të fusin Shqipërinë në Bashkimin Europian.

Maji i ZGJEDHJEVE! Pas 10 ditëve Shqipëria voton...përplasje

Maji i ZGJEDHJEVE! Pas 10 ditëve Shqipëria voton...përplasje

Po ashtu, ka zgjedhur që 90% të takimeve të tij t’i bëjë vetëm me gratë dhe vajzat e çdo qytetit. Sigurisht në këto takime nuk i ka kursyer termat që janë cilësuar si ofenduese ndaj burrave. “Çyrykë,”-ka qenë një nga termat që ka përdorur kryesocialisti për të gjithë mbështetësit e opozitës.

Nga ana tjetër, Berisha ka qenë më i larmishëm. Me një kapele me numrin “1”, me ‘rikthimin’ e syzeve stil ‘aviator’, Berisha del para qytetarëve ndryshe nga stili serioz që jemi mësuar deri më tani. Madje ka pranuar dhe ta veshin! Në Krujë, Kuçovë, qytetarët i kanë dhuruar veshje tradicionale, të cilave Berisha nuk u ka thënë dot jo! Me një stil “alla Trump”, lideri i opozitës duket se po i dëgjon me vëmendje këshillat që i jep kryestrategu i fushatës së republikanëve, Chris LaCivita.

Maji i ZGJEDHJEVE! Pas 10 ditëve Shqipëria voton...përplasje

Maji i ZGJEDHJEVE! Pas 10 ditëve Shqipëria voton...përplasje

Maji i ZGJEDHJEVE! Pas 10 ditëve Shqipëria voton...përplasje

BURG dhe LIRI

Një fushatë që nuk ka ndodhur më parë, po bën Ilir Meta. Edhe pse nga qelia e burgut “313”, Meta kërkon një mandat për në Kuvendin e shtatorit. I vendosur në listën e hapur të qarkut të Tiranës, Ilir Meta kërkon pushtetin që i jep karrigia e deputetit. Por në të njëjtën kohë, ashtu siç eksponentët  e PL-së bëjnë fushatë jashtë për të, edhe ai në rrjetet sociale i ka mbështetur të gjithë kandidatët e partisë së tij. Përveç tyre, ka edhe mbështetjen e ish-bashkëshortes së tij, Monika Kryemadhit dhe 3 fëmijëve të tyre që duket se kësaj here janë më të përfshirë se kurrë në fushatë. Qëllimi është vetëm një: Ilir Meta, deputet!

Diaspora voton!

Për herë të parë në këto zgjedhje do të numërohet edhe vota e qytetarëve që janë larguar nga Shqipëria. Nga 245,935 zarfe të dërguara,117,080 janë kthyer në Shqipëri,  gati për t’u numëruar! Pork a edhe probleme. Në Greqi, jo të gjithë zarfat e dërguar janë tërhequr, ndaj edhe ambasada shqiptare në shtetin fqinj ka njoftuar se pikat e kompanisë postare në Athinë dhe Pire do të punojnë më orë të zgjatura. Megjithatë ka ende kohë…

SONDAZHET dhe PROJEKSIONET

Ajo që parashikojnë thuajse të gjitha sondazhet në Shqipëri është se, në 11 Maj forcë e parë do të jetë Partia Socialiste e Edi Ramës. Kjo epërsi ndaj koalicionit që udhëheq Berisha, herë varion nga 10% deri në 15%. Por lideri i opozitës ka një shembull që e frymëzon! Për të, sondazhet parashikuan edhe humbjen e Donald Trump, por ai u rizgjodh president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kështu, edhe Berisha duket se ka zgjedhur që të besojë vetëm leximin e fletëve të votimit. Nga sondazhet, mesazhi tjetër është se Adriatik Lapaj dhe Agron Shehaj dalin si faktorë realë politikë pas zgjedhjeve të 11 Majit. Më pak, listohet Arlind Qori dhe partitë e vogla, përfshirë PSD, koalicionin Euroatlantik të Lulzim Bashës dhe Djathtas për Zhvillim.

Megjithatë projeksione janë! Partitë politike kanë edhe 10 ditë kohë që t’i “japin gaz”. Rezultatin e shohim më 12 maj!/ZËRI

Lajme të ngjashme

Lajmet e fundit

FocusNews © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Contact Us