Makthet dhe torturat në shtëpinë e Jetnor Zhabolit nuk kishin fund! Jetnor Zhaboli, i cili pritet të ekspertohet nga mjekë të specializuar për shëndetin e tij mendor, kryente veprime të pakontrolluara mbi gruan e tij, dy fëmijët dhe të ëmës, të cilët i kishte mbyllur në shtëpi prej thuajse një viti.
Shumë herë, veprimet e Zhabolit arrinin në ekstremitet, ndërsa netët ktheheshin në horror, pasi ai u shkëpuste energjinë elektrike dhe i zgjonte nga gjumi. Në fytyrë u drejtonte elektrikun e dorës që e mbante ndezur gjatë gjithë kohës.
Prokuroria e Tiranës ka kërkuar masën e arrestit me burg për Jetnor Zhabolin, deri në publikimin e një ekspertize mjeko-ligjore, për të përcaktuar gjendjen mendore të 35-vjeçarit. Zhaboli u arrestua dy ditë më parë, pasi u zbulua ‘burgu’ që kishte krijuar për familjen e tij.
Jetnor Zhaboli mbante të izoluar familjarët e tij, duke i përgjuar me kamera. Bashkëshortja e 35-vjeçarit kishte tentuar të vrasë veten dy herë dhe kishte lënë dy letra lamtumire për familjarët e saj. Gruaja, e moshuara dhe dy fëmijët përjetonin dhe dhunë fizike nga 35-vjeçari që kishte haluçinacione.