Plas lufta te Sivasspor, ndërmjet Rey Manaj dhe trajnerit Calimbay.
Edhe pse klubi njoftoi zyrtarisht se sulmuesi është i dëmtuar, pas kritikave të ashpra nga drejtuesi i stolit, reagoi edhe lojtari.
Manaj sqaroi situatën, duke theksuar se problemi nuk është dëmtimi në rrëzat e kofshës, por ego e trajnerit.
“Edhe pse kam dy muaj që luaj i dëmtuar, kam dhënë më të mirën. U stërvita me ekipin dy ditë para ndeshjes, isha gati të luaja, edhe si zëvendësues. Trajneri gjeti një justifikim për të më lënë jashtë, diçka që e kishte planifikuar më parë. Më lajmëroi me mesazh se nuk do të më grumbullonte. Ego personale duhet të lihet mënjanë për të mirën e ekipit, por rezultatet kanë treguar se trajneri vendos gjithmonë egon përpara çdo gjëje”, tha Manaj.
Pavarësisht se ka kontratë deri në vitin 2026, situata e krijuar pritet të ndikojë në të ardhmen e Manajt.
Pas 12 golave në Superligën turke dhe faktit që Sivasspori po bie nga kategoria, kuqeziu mund të vendosë ta vazhdojë karrierën në një tjetër skuadër.