Robert Jenrick ka dhënë dorëheqjen nga posti i tij si ministër i Emigracionit pas mosmarrëveshjeve me Kryeministrin Rishi Sunak për marrëveshjen e arritur me Ruandën për dërgimin e emigrantëve të paligjshëm. Deputeti konservator për Newark tha se ai nuk mendonte se legjislacioni i urgjencës i Rishi Sunak për të ringjallur planin e ngecur të azilit do t’i jepte fund sfidave ligjore që deri më tani kanë paralizuar skemën.
Ai e bëri publik lajmin për largimin e tij nga posti i ministrit përmes një postimi në X, pak pasi ministri i Brendshëm James Cleverly konfirmoi largimin e kolegut të tij pas pyetjeve të përsëritura në Commons nga deputetët.
Spekulimet u shtuan pasi Jenrick mungonte në Parlament, ndërsa Cleverly dha një deklaratë mbi përpjekjen e qeverisë për të shpëtuar marrëveshjen për të larguar migrantët që mbërrijnë ilegalisht në MB në Afrikën Lindore. Kur u pyet nga deputeti Ashely Dalton nëse ai kishte dhënë dorëheqjen, Cleverly tha: “Kjo është konfirmuar”.