Martin Cani na ulëret të gjithëve “Act now”

Nga Marko Caka, Nju Jork

Fundjavën që kaloi Kryeministri Rama në podkastin e tij  theksoi se qeveria po përgatitet të hapë një dritare për ata që janë në emigracion në fushën e ndërtimit dhe turizmit. Madje shkon më tej duke thënë-” se është çmenduri të rrish në Greqi dhe të mos kthehesh në Shqipëri” – pra të vish e të punosh se pagat janë më të mira këmbëngulte  nga mikrofoni i podkastit të tij,  kryeminstri i vendit. Deri ketu shumë mirë se motivon shqiptarët të kthehen e të kontribojnë për vendin e  tyre, se  “guri i randë peshon në vend të vet”- thonë edhe këngët e kurbetit, ndërsa të tjerat janë bla,bla.

Pra, gjitha këto tingëlluan  shumë bukur në fundjavën me diell sadoqë për  komentuesit më kritikë të Ramës tek  Tema janë gjithmonë të pakënaqur e skeptikë, ku sipas tyre kryeminstri o nuk jeton në Shqipëri të njoh  realitetin,  o i thotë nën efektin e “pijes”. Unë besoj tek e para me realitetin, sepse nuk kaluan as 48 orë dhe të Hënën  vrasja e 14 vjeçarit Martin Cani që ishte ndoshta ngjarja më tronditëse, dhe  më e rënda e gjithë vitit, ishte  shembulli më i mirë për ti treguar kryeministrit se jo shumë larg zyrave të  tij  ne kemi një Shqipëri tjetër që rënkon brenda pellgut të pa sigurisë dhe në indiferencën e gjithë shoqërisë e më e kryesorja në inekzistencën e  shtetit që ti drejton  dhe paguhet nga taksat tona. Vrasja e 14 vjeçarit nga dora kriminale e bashkëmoshatarit të tij dëshmoi edhe një herë  se edukimi dhe siguria në vend është në nivelet më të ulëta,  si asnjëherë.  Në ambjentet e shkollës nxënësi me armë të ftohtë sfidoi  të gjithë, që nga prindërit e tij, mësuesit, shoqërinë ku rrethohemi dhe shtetin që duhet të na mbrojë bashkë me gardianët përreth shkollës. Të gjitha këto që lartpërmenda të hënën në orën 13:10 , në shkollën “Fan Noli”  rezultuan që  nuk funksionojnë aspak, pa thënë se janë inekzestentë përballë këtij brezit të ri që po e rrisim, se po e edukojmë as që bëhet fjalë. Madje vrasësi edhe pas ngjarjes si pa i hyrë ferrë në këmbë dhe me “trimëri” të madhe na bënte karshi me armën e ftohtë të krimit duke e publikur në rrjetin e tij social e duke na  treguar se krimin e kishte bërë me vetëdije, pa asnjë shenjë pendesë sepse shoqëria përreth është “e vdekur” dhe krenarinë e gjen tek “të fortët” që kanë pushtuar gjithë TIK-TOK-un . Ky është një akt kriminal alarmant për shtetin  sepse ka goditur në pikën më të dobët të shoqërisë sonë ,tek ardhmja e vendit, aty ku fëmijët ndjehen të pa sigurtë,  të pa mbrojtur nga bashkëmoshatarët e tyre të prirur për tu bërë kriminelë, të cilët për moshën që kanë mund të dalin të pa lagur nga lehtësirat që ua krijon ligji. Kështu brezi ka lindur Shqipëria e pas tranzicionit sepse shembulli i tyre fillon që nga familjet e tyre të shthurura, shoqëria që na rrethon(në injorancë të plotë), nga “të fortët” e lagjes dhe të politikës dhe deri tek aktet  e dhunshme të  ligjvënësve  brenda mureve të  parlamentit shqiptar nga ku dalin edhe ligjet që ne duhet ti zbatojmë.

Lajme të tjera |  'Ethet' e Shqipëri-Serbi! Serbët me kuzhinierin me vete në Tiranë, Policia ‘blindon’ kryeqytetin

Pra, zoti Kryeministër përpara se ti ftosh bashkatdhetarët që të mbajnë ekonominë e Shqipërisë në këmbë, atyre duhet tu garantosh sigurinë e fëmijëve të tyre të cilët janë rritur dhe edukuar jashtë me një frymë tjetër ku vlera e njeriut është aq e shenjtë saqë  askush tjetër në këtë botë nuk ua ka fatin e tyre në dorë përveç Zotit ku ata besojnë.

Para pak kohësh takoj në Athinë Sandër Palokën ,një mik i vjetër shkodran, i cili punon mjeshtër ndërtimi për 30 vite në shtetin helen. Por, para se ta takoja për kafe  pas kaq shumë vitesh, më thotë – Marko po nxitoj se kam për të shku tek shkolla e djalit, se çdo dy  javë e kamë lënë të bisedoj me mësuesit e tij për ecurinë e tij në mësime, sepse tek sjellja nuk e kam merak se e kam  shumë të  dashur si me bashkëmoshatarët ashtu edhe me mësuesit. Një herë e kisha pyetur- pse Sandër, me zanatin që ke ti shumë mirë  mund ta ushtrosh në Shqipëri, ngaqë kanë nevojë për ju dhe mund të paguhesh më mirë. Ai mu përgjigj menjeherë a thua se e kishte në majë të gjuhës –  “Jo, se unë sot jetoj për fëmijët dhe kam investuar gjithçka për  edukimin e tyre, për të cilët në Shqipëri ndjehem i pa sigurtë se si do të jetë e ardhmja e tyre”. Ndoshta Sandri kishte të drejtë se shkolla e djalit të tij, Shtjefnit, në Shën Elefteri të Athinës ishte  e rrethuar, me një portiere të sigurisë që hapte e mbyllte derën dhe sillej  me shumë  edukatë si dhe mësuesit që e  pritshin vetëm për anën e mësimdhënies për arritjet e Shtjefnit, sepse edukimin ja jepnin prindërit dhe ishin shumë të kënaqur nga sjellja e tij me të gjithë.

Lajme të tjera |  Të shtëna me armë në Kavajë, fqinji qëllon drejt çiftit të bashkëshortëve, plagosen të dy! (EMRAT)

Edhe babai i Martin Canit  kamarier punonte në një lokal të Tiranës dhe sakrifikonte për të ardhmen e djalit, i cili ishte edhe futbollist i të rinjve të Dinamos, por nuk kishte llogaritur se jeta e tij nuk është vetëm brenda familjes së tij por është edhe jashtë ku djali jeton e luan me shokët e tij ku  “i forti”  sfidon shoqërinë dhe që  është i instaluar kudo në çdo hallkë të shoqërisë duke na e bërë   jetën tonë akoma  më të pa sigurtë nën hundën e shtetit.

Ky është realiteti i Shqipërisë sot, ku  tragjedia e 14 vjecarit Martin Cani mos të përsëritet më por të jetë një këmbanë për të gjithë ne që më përpara se ta luftojmë të keqen rreth nesh, prindërit të edukojnë fëmijët e tyre, mësuesit të arsimojnë nxënësit e tyre dhe shoqëria në harmoni  të bashkëjetojë për sfidat e reja zhvilluese, dhe shteti të garantojë të ardhmen e tyre të sigurtë. Kur këto të jenë arritur, atëherë  kryeministri i sotëm i Shqipërisë së tranzicionit të gjatë  ka të drejtën e Zotit të na ftojë të gjithëve, të kthehemi  për ta ndërtuar Shqipërinë tonë e për ta bërë akoma më të bukur ashtu siç na do Europa e Bashkuar. Por  përpara se të shkojmë deri atje shoqëria jonë ka nevojë të lëvizë që tani  “Act now” ..

Lajme të ngjashme

Lajmet e fundit

Contact Us