Pavarësisht se e kanë detyrim ligjor mbi 4 mijë prindër nuk i kanë përmbushur detyrimet e tyre sa i përket “Pensionit ushqimor”, për fëmijët pas ndarjes. Kjo është konstatuar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit në auditimin e fundit të kryer në 9 drejtori rajonale të Përmbarimit Gjyqësor, konkretisht në Tiranë, Shkodër, Vlorë, Fier, Berat, Lezhë, Lushnje, Korçë dhe Pograde. Sipas KLSH prindërit nuk kanë kryer detyrimet e tyre ndërsa çështjet vijojnë të zvarriten, pavarësisht se Përmabrimi Gjyqësor e ka detyrë të zbatojë vendimet e formës së prerë të dhënë nga Gjykatat.
Shkak për këtë KLSH thekson pamundësinë financiare të disa debitorëve. Gjithashtu, një tjetër problem i hasur në praktikën përmbarimore rezulton edhe emigrimi i shumë debitorëve të cilët duke qenë larg, nuk paguajnë detyrimin ushqimor dhe nuk u rezulton pasuri e sekuestrueshme. Për rrjedhojë këto tituj ekzekutivë mbeten të pazbatuara sepse prindi debitor nuk merr pagesë papunësie, pasi është larguar dhe nuk plotëson kushtet e ligjit për ta përfituar atë. Kjo ndikon në mosekzekutimin e vendimeve gjyqësore brenda një afati të arsyeshëm, duke çuar në mos realizimin e të drejtës ligjore të palës së interesuar.
Por si procedohet në një rast të tillë? Kontrolli i Lartë i Shtetit shprehet në raport se në rastet kur debitorët nuk i përmbushin detyrimet e tyre, atëherë Përmbarimi Gjyqësor fillon ekzekutimin e detyrueshëm, duke vënë sekuestro mbi kreditë e debitorit dhe mbi sendet e luajtshme dhe të paluajtshme të tij, në masën e nevojshme për plotësimin e detyrimit.
“Procedura e ekzekutimit të vendimeve gjyqësore të formës së prerë parashikohet dhe rregullohet nga pjesa e 4-t e Kodit të Procedurës Civile. Konkretisht, përmbaruesi gjyqësor, në fillim të procesit të ekzekutimit, i dërgon debitorit një lajmërim për të ekzekutuar vullnetarisht detyrimin që përmban urdhri i ekzekutimit, duke i caktuar për këtë një afat prej 5 apo 10 ditor35. Me kalimin e afatit të lajmërimit për ekzekutim, përmbaruesi fillon ekzekutimin e detyrueshëm, duke vënë sekuestro mbi kreditë e debitorit dhe mbi sendet e luajtshme dhe të paluajtshme të tij, në masën e nevojshme për plotësimin e detyrimit. Megjithëse sekuestro është një nga mjetet më të rëndësishme procedurale të parashikuara nga Kodi i Procedurës Civile për ekzekutimin e detyrueshëm të titujve, në praktikë janë hasur shumë pengesa në realizimin e saj. Shërbimi Përmbarimor Shtetëror, që nga shtatori i vitit 2019 është përballur me refuzimin e zyrave vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, për zbatimin e urdhrave të sekuestros mbi pasuritë e paluajtshme të debitorëve, me argumentin se duhet parapaguar tarifa e shërbimit. Kjo tarifë është përcaktuar me VKM-në nr. 389, datë 13.05.2020 “Për miratimin e listës dhe tarifave të shërbimeve kadastrale”. Ndër të tjera, ky akt përcakton se sekuestro mbi pasuritë e paluajtshme të vendosura nga përmbaruesit, regjistrohen vetëm pasi të jetë paguar tarifa e shërbimit. Referuar VKM-së në fjalë, urdhri i sekuestros përcaktohet si shërbim, ndërsa në kuptim të dispozitave të Kodit të Procedurës Civile, ai është një akt procedural civil, i nxjerrë nga përmbaruesi me qëllim ekzekutimin e detyrueshëm të vendimeve gjyqësore dhe për rrjedhojë, zbatimi i tij përbën detyrim ligjor (nenet 560 e në vijim të K.Pr.C). Në këtë rast, zbatimi i një akti nënligjor ka marrë precedencë mbi Kodin e Procedurës Civile, i cili është ligj i miratuar me shumicë të cilësuar. Ky fakt bie në kundërshtim me hierarkinë e normave të përcaktuar nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë në nenin 116 të saj. Njëkohësisht, shërbimi përmbarimor shtetëror nuk ka një fond të dedikuar për parapagimin e tarifave për dosjet në ekzekutim. Nëse kreditori nuk i mbulon me shpenzimet e veta këto tarifa, çështjet zvarriten dhe pengohet ekzekutimi i detyrueshëm i tyre. Në lidhje me këtë çështje, DPP ka parashtruar argumentet e saj pranë institucionit epror MD dhe drejtpërdrejtë tek ASHK”, thotë KLSH.
Krahas problematikave me sekuestron e pasurive të paluajtshme të debitorëve, konstatohen pengesa edhe për sa i përket sekuestros së automjeteve të tyre. Nga korrespondencat ndërinstitucionale të vëna në dispozicion të grupit38, konstatohet se Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor argumenton se nuk është institucioni kompetent për vendosjen e sekuestros mbi dokumentacionin dhe automjetet e palëve debitorë dhe se nuk disponon fizikisht dokumentacionin përkatës, si p.sh. leje qarkullimi dhe certifikatë pronësie.
Po ashtu problematikë në këtë auditm ishte dhe zbatimi i vendimeve të formave të prerë sa i përket ‘Takimeve me fëmijët. Këtu sipas KLSH, problematikat hasen në rastet kur palët ndërgjyqëse mbulohen nga ndihma juridike dytësore falas.
Ndërsa vetë Përmbaruesi Gjyqësor, në disa drejtori rajonale është vetë problemei. Kjo pasi kanë hapësira të pamjaftueshme, kushte të papërshtatshme dhe mungesë stafi, duke bërë që dosjet të presin dhe me muaj të tërë për tu ekzekutuar.
“Gjatë vitit 2022, Shërbimi Përmbarimor Shtetëror ka ushtruar veprimtarinë me 59 përmbarues, ndërsa 19 vende në strukturë kanë qenë vakante. Gjatë këtij viti, përmbarimi shtetëror ka pasur një total prej 57,035 çështjesh, duke përfshirë pensionet ushqimore dhe takimet me fëmijët, të cilat janë në ekzekutim të vazhdueshëm. Kështu, raporti midis dosjeve për ekzekutim dhe numrit faktik të përmbaruesve është jo proporcional. Konkretisht, pas plotësimit të disa vendeve vakante në fund të vitit 2022, rezulton se për çdo përmbarues shtetëror janë afërsisht 839 dosje në ekzekutim. Problemet me infrastrukturën dhe mungesa e mjeteve të nevojshme janë konstatuar në zyrat rajonale përmbarimore. Nga vizitat e zhvilluara rezultoi se ambientet e punës janë të vogla dhe në disa raste (si p.sh. në Berat dhe Lushnje), përmbaruesit nuk kishin një hapësirë pune të dedikuar, por iu duhej të ndanin me njëri-tjetrin tavolinën dhe mjetet e punës (kompjuterin). Një tjetër problematikë e konstatuar është mungesa e ambienteve të arkivës për mbajtjen e dosjeve në zyrat rajonale”, thotë KLSH.