Në 8 maj do të bëhet testi i parë i uljes së avionit në pistën e Aeroportit të Vlorës, i cili është në fazën finale të punimeve. Lajmi u bë i ditur gjatë firmosjes së marrëveshjes mes kompanisë ushtarake shtetërore të Shqipërisë “Kayo” dhe asaj izraelite në fushën e mbrojtjes “Elbit System LTD” për themelimin e akademisë së Aviacionit.
Kryeministri Rama e cilësoi një hap të rëndësishëm në funksion të mbështetjes së aviacionit civil, duke ritheksuar ambicien e qeverisë për të rilindur industrinë e mbrojtjes dhe atë të prodhimit ushtarak.
“Jam besimplotë se kjo marrëveshje e nënshkruar sot do të në japë në 4-5 vitet e ardhshme mundësinë që të jemi krenar që jemi këtu sot. Jemi në një proces diskutimesh në disa drejtime, por thelbi është që të rilindim industrinë tonë të të mbrojtjes dhe industrinë tonë të prodhimit ushtarak. Jemi optimist, kemi partnerët dhe aleatët e duhur që janë lider në këtë fushë, jo vetëm Izraelin, por edhe SHBA dhe shtete të tjera të BE dhe Turqinë që është aleat strategjik i ynë.”
Më herët në një takim që zhvilloi me studentë e pedagogë të qytetit bregdetar, Rama se fsheu synimin e tij për ta kthyer akademinë e Aviacionit në një qendër rajonale, ndërsa paralajmëroi të tjera marrëveshje edhe në industrinë detare.
“Kemi së shpejti edhe një marrëveshje tjetër me Ficanterin e Italisë për të rivitalizuar kantieret e mirëmbajtjes dhe ndërtimit të anijeve këtu në Vlorë.”
Krahas projekteve që tha se presin të marrin udhë, Rama foli me shifra edhe për investimet e qeverisë në këtë qark përgjatë një dekade.
“Rigjenerimi urban, kemi bërë 140 projekte me 172 milionë Euro vlerë. Në një dekadë ne kemi investuar në qarkun e Vlorës 1.27 miliardë Euro.”
Edhe në takimet elektorale të kësaj të diele, kryesocialisti ripërsëriti se vota për Partinë Socialiste është votë për BE-në dhe drejtësinë e pavarur.