Deputeti demokrat Enkelejd Alibeaj zgjodhi të ishte në studion e A2 CNN në vend që të votonte dekretet e presidentit për ndryshimet e reja në qeveri apo kryetaren e re të Kuvendit.
Gjatë intervistës me Bruna Çiflikun, Alibeaj u shpreh se lufta politike tashmë nuk ka sens pasi Rama siguroi dhe fitoren e radhës pasi bashkoi votat me opozitën për mbylljen e listave.
Alibeaj nuk la pa komentuar dhe ndryshimet në qeveri, të cilat sipas tij u bënë pa transparencë dhe treguan edhe njëherë se deformimi i demokracisë në vendin tonë vijon.
“Jam larguar nga Kuvendi sepse është më mirë këtu se atje. Është një skenë e vështirë. Rama mori fitoren në tavolinë. Me papërgjegjshmëri shkarkoi disa ministra. Qeveria është e shqiptarëve dhe jo e Ramës. Opozita bashkoi votat me Ramën për të mbyllur listat. Nuk ka më sens lufta politike. Qeverinë ia ke dhënë Ramës.
Rama nuk e ka pranuar të zhvillohet debat për shkarkimin dhe emërimin e ministrave që në vitin 2012. Qeveria duhet të jetë në sytë dhe kontrollin e publikut. Çdo ndryshimi që i bëhet, publiku duhet të dije psenë. Kontrolli i parlamentit mbi qeverinë është asgjësuar dhe kështu vijon deformimi i demokracisë. Nuk jam aspak i surprizuar nga ndryshimet në qeveri”, tha Alibeaj.