Kryeministri Edi Rama gjatë takimit nga Shkodra u shpreh se Partia Demokratike e quan komunist, por sekretar partie ka Sali Berishëm. Rama kujtoi detyrat e kryedemokratit si funksionar partie në kohën e komunizmit, duke thënë se ka persekutuar dhe internuar njerëz dhe i ka shërbyer Partisë së Punës.
“Këta më thonë mua komunist dhe mbajnë vetë në krahë bufin sekretar partie, që ka persekutuar dhe internuar njerëz, i ka shërbyer edhe Partisë së Punës! Ku e la Shkodrën, në prapambetje. Tani Shkodra është ndryshe, ajo që bëmë ne për Shkodrën, nuk e di për ata burrat demokratë të PD-së këtu se çfarë mendojnë, teksa gjysmat e burrave këtu i kemi me ne”, tha ai.
Ndërsa iu përgjigj kryedemokratit se dëshira e tij për të shkrirë Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar nuk do të realizohet.
“Doni që barazia para ligjit të kthehet në një gur që nuk lëviz më nga themelet e shtëpisë tonë? Doni që nesër mos të dalë dikush tjetër ta kthejë përmbys. Siç thotë sot bufi i kënetës do shkrijmë SPAK-un më 12 maj. Ai s’do shkrijë gjë se më 12 maj do dalë të bërtasë ‘mi vodhën’. Por përtej asaj. Historia e Shqipërisë ka treguar se çfarë i ka bërë shqiptari këtij vendi nuk ia ka bërë as armiku. Sa shumë e kemi ngatërruar këtë vend duke u ngatërruar me njëri tjetrin, nuk na kanë ngatërruar as armiqtë tanë ndonjëherë.
E pra, mundësia që kjo sapo kemi filluar të bëjmë, që na bën një shtet europian, barazia para ligjit është reale. Jo nga zgjedhjet e 11 majit, sepse do të fitojë PS. Sa të jem unë këtu dhe PS nuk ka për të pasur hap pas me drejtësinë. Kjo punë nuk i lihet në dorë atyre që do zgjidhen për të qeverisur vitet e ardhshme, por duke e futur vendin në BE“,deklaroi Rama.