Teuta arriti të mposhtë ditën e sotme Egnatian me shifrat 2-1 dhe siguroi qëndrimin në Kategorinë Superiore për sezonin e ardhshëm. Në përfundimin e takimit, trajneri i durrsakëve Bledar Hodo doli në prononcim për mediat.
“Akoma nuk dimë asgjë se çfarë do bëhet. Nuk jemi ulur as me drejtuesit e as me lojtarët. Por do të ulemi dhe do të diskutojmë. Mendojmë se ishte një ndeshje ideale për të provuar çunat e rinj, kisha besim se do shkonin mirë sepse kanë uri për ndeshje të tilla.
Mendoj që kanë qenë ndeshje me presion shumë të lartë, nuk jam pishman në këtë pjesë. Jam munduar të fus lojtarë me eksperiencë në kampionatin shqiptar. Të jem i sinqertë nuk di gjë për të ardhmen time, kemi arritur të shpëtojmë këtë sezon të vështirë. Më shumë i gëzohem faktit që Teuta arriti këtë objektiv sesa e ardhmja ime. Pozicionin e trajnerit e kam shijuar vetëm sot, sepse në javët e tjera ka qenë stres”, u shpreh Hodo.