Si synon të veprojë kryeministrja italiane Giorgia Meloni, ndërkohë që kriza në marrëdhëniet euroatlantike vazhdon? Pyetja ka kohë që qarkullon në mesin e politikanëve dhe analistëve, duke qenë se Meloni është një bashkëbiseduese e privilegjuar me presidentin Donald Trump. Ajo ishte e vetmja udhëheqëse evropiane e ftuar dhe mori pjesë në ceremoninë e inaugurimit të tij – por, nga ana tjetër, ajo drejton ekonominë e tretë më të madhe të BE-së dhe një nga vendet themeluese të saj.
Në samitin urgjent të BE-së të së enjtes në Bruksel, Italia ra dakord për formimin e një mbrojtjeje të përbashkët evropiane dhe mbështetjen e vazhdueshme për Ukrainën. Megjithatë, Meloni është në një pozitë të vështirë pasi përpiqet të ruajë ekuilibrin mes SHBA-së së Presidentit Trump, me të cilin ka deklaruar se është në të njëjtën faqe ideologjikisht.Meloni vlerësoi fjalimin e zëvendëspresidentit amerikan J.D. Vance në Mynih, i cili kritikoi Evropën për një deficit demokratik – dhe BE-së, së cilës i përket Italia.
Që nga fillimi i krizës në marrëdhëniet euroatlantike të shkaktuar nga administrata Trump, Meloni këmbënguli në idenë e unitetit perëndimor.
Ambicia e Melonit ishte të luante rolin e ndërtuesit të urës midis SHBA-së dhe BE-së. Me këmbënguljen e saj për të ruajtur me çdo kusht unitetin e Perëndimit, pavarësisht armiqësisë së dukshme të SHBA-së ndaj BE-së, Meloni nuk ka vend për manovrim. Ajo do të duhet të bindë partnerët e saj evropianë se Italia po merr pjesë aktive në formimin e mbrojtjes evropiane dhe se mbështet Kievin.
Meloni përsërit shpesh se interesat e vendit të saj janë të parat mbi gjithçka! Nisur nga rrethanat, ajo duhet të vendosë se si do të shërbehen më së miri interesat e Italisë: duke u bashkuar me Trump, duke kërcënuar kohezionin e BE-së, apo duke vazhduar në linjën e të gjitha qeverive italiane të pasluftës që mbështetën të gjitha institucionet ndërkombëtare – OKB-në, NATO-n, BE-në.