Gjykata më e lartë e Kasacionit e Francës la në fuqi të mërkurën vendimin e parë kundër ish-presidentit Nicolas Sarkozy, i cili është shpallur fajtor për korrupsion. Tashmë, ish-kreu i shtetit do të duhet që të mbajë një byzylyk elektronik për një vit dhe të qëndrojë në “arrest shtëpie”.
“Sarkozy, i cili u shpall fajtor për përpjekje të paligjshme për të siguruar favore nga një gjyqtar, do të respektojë “qartësisht” kushtet e dënimit pas vendimit të Gjykatës së Kasacionit,”- tha avokati i tij Patrice Spinozzi për AFP, por po ashtu lajmëroi se shumë shpejt vendimi do të apelohej.
Megjithatë, masa në Gjykatën Evropiane me qendër në Strasburg nuk do të pengojë zbatimin e vendimit të së mërkurës. Sanksioni tani hyn në fuqi pasi Sarkozy ka shteruar të gjitha rrugët ligjore në Francë.
Në vitin 2021, një gjykatë franceze zbuloi se Sarkozy dhe ish-avokati i tij, Thierry Herzog, kishin lidhur një “marrëveshje korrupsioni” me gjyqtarin Gilbert Azibert për të marrë dhe shkëmbyer informacion në lidhje me një hetim ligjor. Gjykata e dënoi fillimisht me 3 vjet burg, por më pas ndryshoi vendimin me 1 vit burgosje në shtëpi.
Sarkozy, 69-vjeç, i cili është shprehur gjithmonë i pafajshëm, me avokatin e tij lajmëroi se do të vazhdojë që të ndjekë rrugët ligjore. Por pavarësisht nga problemet e tij ligjore, Sarkozy vazhdon të gëzojë ndikim dhe popullaritet të konsiderueshëm në krahun e djathtë të politikës franceze. Burimet i thanë AFP se Sarkozy zhvilloi bisedime në Elysee në fillim të këtij muaji në një përpjekje për të bindur Macron që të mos emëronte centristin veteran Francois Bayrou si kryeministër. Megjithatë, mesa duket këshilla e tij nuk u mor për bazë nga presidenti aktual i Francës.