Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, pas samitit të Brukselit zgjodhi të postojë disa foto në mediat e tij sociale.
Por mes fotove është edhe me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, ku shihet qartë pozicioni i Mitsotakis.
Në foto, ai shfaqet me gishtin drejtuar nga Rama.
Mediat greke shkruajnë se ky imazh është një mesazh për kryeministrin Rama, pas çështjes Beleri.
Kryeministri grek përsëriti qëndrimin e përhershëm të Greqisë se çështja e marrjes së detyrës nga Fredi Beleri nuk është një çështje dypalëshe midis Greqisë dhe Shqipërisë, por çështje respekti për shtetin e së drejtës, që është thelbi i procesit të anëtarësimit.
Greqia ka kërcënuar se do bllokojë integrimin e Shqipërisë, për shkak të Belerit.
Kujtohet se kryeministri grek ka dërguar mesazhe të qarta nga Brukseli me marrës të qartë për çështjen e zgjerimit.
Nga ana e tij, kancelari gjerman, Olaf Scholz, është pozicionuar pro Shqipërisë në këtë “debat”.
“Kur një vend ka kaluar nëpër reforma të gjera, si p.sh. në rastin e Shqipërisë, kjo duhet njohur, përndryshe ekziston rreziku i pasojave të gjera në procesin e zgjerimit në tërësi, të cilat ne nuk mund t’i lejojmë”.