Numri i automjeteve në vend vijon të rritet. Të dhënat zyrtare nga Drejtoria e Shërbimeve të Transportit Rrugor tregojnë se në fund të muajit të kaluar numri total i automjeteve aktive në përdorim arriti në rreth 940 mijë me një rritje prej 8.3 për qind krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar.
Po kështu shqiptarët po blejnë gjithnjë e më shumë makina nga Korea. Të dhënat më të fundit të kësaj drejtorie tregojnë se gjatë periudhës Janar-Shtator 2024, origjina e mjeteve të importuara kryesohet nga Republika e Koresë me 19,2%, Italia me 18%, Gjermania me 17,2%, Zvicra me 9%, SHBA me 6.8% dhe Kina me 5.6%.
Referuar statistikave të publikuara, rinovimi i flotës është gjithashtu një trend në rritje, me 12,282 mjete të gjeneratës së fundit që kanë 0-3 vite përdorim, me një rritje prej 153% regjistrime krahasuar me periudhën janar-shtator 2019, e ndërkohë 45% regjistrime më shumë se në vitin 2023. Kjo tregon se flota e mjeteve aktive po pasurohet me mjete të gjeneratës së fundit, që janë më pak ndotëse.
Gjatë kësaj periudhe janë çregjistruar 5,147 mjete, një rritje prej 13.9% krahasuar me një vit më parë.
Sipas të dhënave nga DPSHTRR, në shtator 2024 raportohen 939,780 mjete aktive, pra 38.9% më shumë krahasuar me 2020 dhe 8.3% më shumë krahasuar me 2023.
Periudha Janar-Shtator 2024 numëron 76,537 regjistrime ndër të cilat 83.7 % e totalit janë autovetura, me rritje 107% regjistrime krahasuar me janar-Shtator 2019 dhe 36% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Ndërkaq DPSHTRR udhëzon të gjithë drejtuesit e mjeteve të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor, të kryejnë kontrolle periodike të mjetit që posedojnë dhe përpara se të importojnë një mjet të kryejnë “Verifikimin e Kategorisë Mjedisore”.