Kryetari i Partisë së Lirisë Ilir Meta ka nisur një hetim përsa i përket angazhimit të anëtarëve të Partisë së Lirisë në zgjedhjet e 11 majit. Në një letër, Meta kërkon që secili prej tyre të paraqesë një raport personal për angazhimin e tij në ditën e zgjedhjeve. Gjithashtu kërkon të dijë edhe rezultatin e votave në qendrat ku ka punuar si dhe votat personale që ka raportuar. Një raport të tillë e kërkon edhe nga Sekretari për Diasporën mbi aktivitetin e Komisionit të ngritur për verifikimin e votuesve jashtë vendit, votat e identifikuara dhe analizën e rezultatit të votave në diasporë për Qarkun Tiranë. Të gjitha këto të dhëna, Meta kërkon që të paraqiten tek Sekretari i Përgjithshëm Tedi Blushi.
Postimi i Metës:
Të dashur anëtarë dhe simpatizantë të Partisë së Lirisë. Firmosa sot urdhrin për analizimin e rezultatit të zgjedhjeve të 11 Majit për çdo Njësi dhe Qendër Votimi në Qarkun Tiranë për të verifikuar punën dhe rolin e gjithsecilit. Edhe njëherë faleminderit me mirënjohje të gjithë atyre të cilët i rezistuan presioneve të jashtëzakonshme të Narkoshtetit dhe nuk e shitën as lirinë, as shpirtin dhe as karakterin e tyre përballë një makinerie kriminale shtetërore, që cënoi rëndë standardet e zgjedhjeve, demokracinë dhe shtetin e së drejtës, duke vijuar me vendosmëri, qëndresë e kurajë t’i prijnë betejës tonë të përbashkët në mbrojtje të kauzave madhore.