Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ndonëse ndodhet pas hekurave që prej tetorit të vitit të kaluar me akuza nga SPAK për korrupsion, është i bindur se mund të arrijë një rezultat të jashtëzakonshëm në zgjedhjet e 11 majit.
Në një intervistë për Opinion në Tv Klan, ku Meta u është përgjigjur pyetjeve me shkrim, shprehet se “pavarësisht nga vështirësia për të bërë fushatë, rezultati do të jetë përtej çdo parashikimi optimist”.
“Unë e kam thënë, e kam deklaruar publikisht në Konventën e Tiranës në mesazhin tim me audio se do të jem në listë të hapur në qarkun e Tiranës edhe ndër më të votuarit madje. Natyrisht kjo ka qenë kërkesë e Kryesisë e Partisë së Lirisë, por edhe sugjerimi i drejtuesve të PD-së.
Ky është gjithashtu një rast i mrekullueshëm për të arritur një rekord të ri, të panjohur, për t’u zgjedhur deputetë nga qelia numër 5. Unë e di pavarësisht nga vështirësia për të bërë fushatë, rezultati do të jetë përtej çdo parashikimi optimist”, tha Meta.