Miliarderi i padukshëm me punë të dukshme

Nga Enver Robelli

1.

Të premten e shkuar u bë e ditur se Dieter Schwarz, ish-shef i Lidl, një rrjet gjerman i dyqaneve i shtrirë në shumë vende të Evropës, do t’i dhurojë Universitetit Teknik të Zürichut (ETH) një shumë rekord me të cilën kjo shkollë prestigjioze gjatë 30 vjetëve të ardhshme do të financojë 20 katedra (në Zürich dhe në Heilbronn të Gjermanisë). Gazeta «Tages Anzeiger» shkruan se shuma e dhuruar nga 84-vjeçari Dieter Schwarz supozohet të jetë ndër donacionet më të mëdha apo ndoshta donacioni më i madh për shkencën zvicerane. Disa burime thonë se Schwarz ia ka dhuruar ETH-së 100 milionë franga, ndërsa njerëz të tjerë supozojnë se shuma e dhuruar sillet rreth 500 milionë franga.

Universiteti Teknik i Zürichut (ETH) organizoi një konferencë për media për të informuar opinionin mbi këtë lajm të gëzueshëm. Në konferencë nuk mori pjesë Dieter Schwarz. Ai nuk shfaqet me dëshirë në opinion. Para një viti gazeta gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung” pyeti: “A ekziston vërtet Dieter Schwarz?”. Një përfaqësues i tij erdhi të premten në Zürich dhe shpjegoi se nuk do të bëhet e ditur sa para ka dhuruar Dieter Schwarz. “Përmendjen e shifrave të mëdha unë e konsideroj krekosje”: këto fjalë ia përcolli opinionit filantropi Schwarz përmes përfaqësuesit të tij. Sipas magazinës “Forbes” pasuria e Schwarz llogaritet të jetë 35 miliardë franga.

Universiteti Teknik i Zürichut (ETH) ka nënshkruar një deklaratë me Dieter Schwarz për të themeluar një qendër hulumtuese për “transformim të përgjegjshëm digjital me rrezatim global”. Deri më sot, janë dhënë 22 çmime Nobel për shkencëtarë që janë apo kanë qenë të punësuar në ETH. Çmimet janë ndarë për kimi dhe fizikë. Mes të shpërblyerve janë edhe dy shkencëtarë kroatë: Leopold Ružička (1939) dhe Vladimir Prelog (1975), të cilët kanë ligjëruar në ETH. Studenti më i famshëm i ETH-së është Albert Einsteni (më vonë edhe profesor në ETH).

Dieter Schwarz nuk jep intervista. Jeton larg syve të opinionit. Mediat nuk kanë fotografi zyrtare të tij. Megjithatë, Dieter Schwarz ekziston. U lind më 24 shtator 1939 në Heilbronn të landit të Baden-Württembergu. Si gjimnazist qëndroi një vit në SHBA (si bursist i American Field Service). Pasi u kualifikua në profesionin e tregtarit në firmën e babait të tij Lidl & Schwarz, ai mori funksione drejtuese në këtë ndërmarrje të artikujve ushqimorë. Më 1977 (atë vit vdiq babai i tij), Schwarz mori drejtimin e ndërmarrjes. Në vitin 2022 Lidl kishte në mbarë botën 575 mijë punëtore e punëtorë, 13.700 filiale dhe një qarkullim vjetor prej 154 miliardë euro. Në vitin 1999, Schwarz themeloi një fondacion përmes të cilit ai ka përkrahur mbi 700 institucione e nisma në fushën e shkencës dhe arsimit. Ndërsa, tani zbavitemi me ChatGPT, në të ardhmen programi i inteligjencës artificiale do të revolucionarizojë botën e punës, ekonominë, arsimin dhe shumë fusha të tjera të jetës. Në këtë fushë dëshiron të lërë gjurmë Dieter Schwarz.

2.

Kur në fund të shtatorit u mbajt “Swissalbs” në Zürich, një mbrëmje për vlerësimin e potencialit novator dhe kreativ të sipërmarrësve shqiptarë në Zvicër, të pranishmëve iu drejtua Vllaznim Xhiha, një filantrop që në opinionin kosovar njihet si themelues i projektit “Bonevet”, i cili synon t’u krijojë nxënësve hapësirë kreative për formësim teknik në programim, elektroteknikë dhe mekanikë. Njëra nga fjalitë më të bukura dhe më të mençura në fjalimin e Vllaznim Xhihës në Zürich ishte kjo: nëse jeni bërë i pasur, mos mendoni se atë pasuri e keni krijuar vetë; janë plot e përplot njerëz që ju kanë shoqëruar në rrugëtimin tuaj dhe e kanë bërë të mundshme që të keni sukses. Rrjedhimisht, një pjesë të pasurisë do të duhej t’ia ktheni shoqërisë.

Vllaznim Xhiha themeloi më 1993 në Zvicër ndërmarrjen “Newave”, e cila u specializua në prodhimin e aparateve që mundësojnë furnizim të pandërprerë me energji elektrike. Në vitin 2011 kjo ndërmarrje kishte një qarkullim vjetor prej 84 milionë franga dhe eksportonte në mbi 60 vende. Më 2012 Xhiha dhe partneri i tij i biznesit ia shitën ndërmarrjen kompanisë së madhe ABB Schweiz. Shumën blerëse ABB e pagoi në dorë. Një pjesë të pasurisë së tij Xhiha vendosi t’ua dhurojë të rinjve të Kosovës; u kthye në Kosovë dhe themeloi “Bonevet”. Meqë në pjesën e parë të këtij teksti u përmend Universiteti Teknik i Zürichut (ETH): sipas të gjitha gjasave studenti i parë shqiptar në ETH ka qenë Vllaznim Xhiha (në vitet ‘70).

Lajme të ngjashme

Lajmet e fundit

Contact Us