Ministri gjerman i Mbrojtjes Boris Pistorius ka bërë një deklaratë të fortë ku ka kërkuar një riarmatim të ri të Europës për shkak të kërcënimeve gjithnjë e në rritje. Sipas tij, kjo të bëhet për të garantuar sigurinë e kontinentit të vjetër. Pistorius tha se deri në fund të dekadës, Europa mund të përballet me kërcënime të reja, dhe për shkakun se Shtetet e Bashkuara, janë duke e fokusuar vëmendjen te Indo-Paqësori
Në një intervistë për gazetën Welt am Sonntag, ministri gjerman tha se Rusia është duke e rritur prodhimin e armëve për ta përballuar luftën në Ukrainë, por duke i kërcënuar kështu edhe shtetet baltike, si dhe Gjeorgjinë e Moldavinë, raporton REL. Sipas tij, Shtetet e Bashkuara me kohë do ta zvogëlojnë përkushtimin ushtarak në Evropë, pasi kanë më shumë interesim për Indo-Paqësorin.
Boris Pistorius: Ne evropianët duhet të angazhohemi më shumë, për të garantuar sigurinë e kontinentit tonë. Do të na duhen 5-8 vjet për të arritur cakun, sa u përket forcave të armatosura, industrisë dhe shoqërisë. Evropa e ka të qartë që do të duhet të kompensojë ndihmën amerikane për Ukrainën, nëse Uashingtoni nuk arrin pajtueshmëri për fondet e reja.
Sipas tij, pushteti i ri në Poloni, më miqësor me Evropën, do të mundësojë që vendet e Trekëndëshit të Vajmarit, Berlini, Parisi dhe Varshava, të rrisin bashkëpunimin e tyre ushtarak. Pistorius ka thënë se nuk parasheh që ushtria gjermane t’i përsërisë misionet sikurse ato që i ka pasur në Afganistan apo Mali.