Ministri i Jashtëm turk, Hakan Fidan, ka nisur një turne zyrtar katërditor në Shqipëri, Bullgari dhe Rumani. Kryediplomati turk do të takohet me homologët e tij për të diskutuar “marrëdhëniet dypalëshe si dhe zhvillimet aktuale rajonale dhe globale”, shkruajnë mediat turke.
Ndalesa e parë e tij ka qenë në Tiranë fillimisht te Xhamia e Namazgjasë. Xhamia e Namazgjasë është një investim nga shteti turk, që llogaritet të jenë shpenzuar rreth 30 milionë euro për ndërtimin e këtij objekti kulti.
Në një postim në Facebook, Ministria e Jashtme turke shkruan: “Ministri ynë Hakan Fidan vizitoi Xhaminë e Namazgahut, e cila është në ndërtim e sipër me të mbërritur në Tiranë, kryeqytetin e Shqipërisë”, ndërsa ka ndarë disa foto të Fidan nga xhamia.
Fidan ka zhvilluar një takim me ministrin e jashtëm shqiptar Igli Hasani dhe do të kenë dhe një konferencë të përbashkët për shtyp. Pas kësaj do të takohet edhe me kryeministrin Rama, presidentin, kryebashkiakun e Tiranës dhe do të ketë vizitë edhe në xhaminë e re kryesore në Tiranë, ku akoma nuk është e qartë nëse do të jetë i ftuar kreu i kominitetit mysliman.
Kujtojmë se ishte vetë presidenti Erdogan që vendosi gurin e parë më 13 maj 2015. “Kompleksi Namazgja” do të jetë qendra më e madhe Islame në Ballkan, e cila do të përfshijë xhaminë, një sallë konferencash, sallë mbledhjeje, një sallë ekspozitash, Muzeun e parë Islam në Ballkan, bibliotekën, zyra, parking, si dhe hapësira të tjera për publikun.
Gjithsesi edhe pse projekti ka përfunduar nuk dihet ende se kur do të hapet, kjo pasi Erdoagan nuk njeh drejtuesit e Komunitetit Mysliman Shqiptar. Pritet të shihet në takimet e sotme nëse Fidan do të artikulojë qartë pakënaqësitë që ka me Shqipërinë.