E ndërsa Artan Lame nuk ndodhet më midis nesh, gazetarja dhe mikja e tij Anila Basha ka risjellë në kujtesën e secilit një ndër shkrimet e rralla të Artan Lames, shkruar disa vite më parë.
“Miq… Mos u zini kot. Ka për të gjithë”, nis shënimi i Artan Lames, shkruar rreth 9 vite më parë, në një kohë kur për herë të parë luftoi me vdekjen, një betejë që e fitoi dikur, por që nuk arriti ta mposhte dhe sot.
Falenderues për jetën e dytë, Lame shkruante sesi bota mund të ishte më e denjë, sesi njerëzit mund të ishin më të mirë dhe vuajtjet e jetës të kalonin pa shumë vështirësi, “në doni ta bëni një gjë, bëjeni, pasi kur të doni, ndoshta s’do mundeni dot më”, shkruante Lame.
Shkrimi i Artan Lames, i risjellë nga Anila Basha:
Miq… Mos u zini kot. Ka për të gjithë. Duajeni më shumë njëri-tjetrin. Nëpër ditët kur isha hequr mënjanë botës dhe orët i kaloja veç mes dhembjesh fizike që nuk mbaronin e nuk mbaronin, kuptova pikërisht këtë gjë.
Shpikim e sajojmë mes nesh kaq shumë keqdashje, zili, cmirë, urrejtje, hile, që e bëjnë m’kot edhe më të dhimbshme botën tonë, që edhe pa to është plot dhimbje.
Dhe që në fakt është plot njerëz të mirë e qëllim mirë, njerëz të vojtur e të ndershëm, njerëz të mësuar me mundimin dhe vuajtjen dhe që i kalojnë ato pa shume filozofi, thjesht i kalojnë….
Bota mbështet mbi hapësirën dhe kohën. Atëhere në doni ta bëni një gjë, bëjeni, pasi kur të doni, ndoshta s’do mundeni dot më. Nëse doni ta hapni nje portë, hapeni. Eshtë gjithmonë bukur.