Të gjithë qytetarët që kanë në pronësi një banesë në një pallat do të pajisen për herë të parë edhe me certifikatën e bashkëpronësisë në të cilën do të detajohen hapësirat e përbashkëta të familjeve që banojnë në atë godinë, nga oborri deri në tarracë. Projektligji “Për administrimin e bashkëpronësisë në ndërtesa”, u prezantua në Konsisionin e Ekonomisë nga ministri i Pushtetit Vendor Arbjan Mazniku. Ligji synon të zgjidhë problemet mes fqinjëve dhe mirëmbajtjen, ndërsa tarifa do të paguhet për çdo apartament, të banuar ose jo.
” Libri i bashkëpronësisë, do të jetë detyrë e çdo bashkie që të krijojë një regjistër që përmban llojin e ndërtesës, vitin kur është ndërtuar, tipologjinë e ndërtesës, organet e kryesimit, asamble administrator, certifikatën e bashkëpronësisë, fondin rezervë. Përmes këtij regjistri bën edhe kontrollet ka apo jo administrator”, thotë ai.
Aktualisht në Shqipëri janë 432 mijë banesa me shumë kate, subjekt i zbatimit të këtij projektligji, pas miratimit në seancë plenare.
“Rreth 40% e totalit të banesave janë në pallate me shumë kate dhe ka bashkëpronësi. Pjesa më e madhe e këtyre banesave janë pa një administrator. 26% e banesave janë ndërtuar para vitit 1981, 36% janë ndërtuar në pragun 1981-2000, 36% janë ndërtuar pas vitit 2001”, theksoi ministri në Komision.
Çfarë thotë Ligji i Ri?
Ligji i ri përqendrohet te mënyra sesi menaxhohen, përdoren dhe mirëmbahen hapësirat e përbashkëta në ndërtesa, duke përfshirë: hyrjet dhe shkallët, korridoret dhe ashensorët, fasadat e jashtme dhe çatitë, bodrumet dhe depot, oborret apo ambientet e gjelbra të përbashkëta dhe pajisjet teknike si depozitat e ujit, sistemet e ndriçimit dhe kamerat e sigurisë
Deri më sot, mungesa e një kuadri të qartë ligjor ka sjellë shumë paqartësi dhe konflikte mes banorëve. Shumë pallate nuk kishin administratorë, detyrimet financiare nuk paguheshin, dhe hapësirat publike keqpërdoroheshin apo liheshin pas dore. Ligji i ri synon të japë një strukturë të qartë dhe funksionale, që mbron interesin e përbashkët dhe nxit bashkëjetesën në komunitet.
Ligji njeh dhe forcon rolin e administratorëve të pallateve, të cilët mund të jenë individë apo kompani. Në këtë pikë, Mazniku u shpreh se nga pagesa e tarifës së administrimit nuk do të ketë përjashtime, madje nëse ajo nuk paguhet për 1 vit, shkohet deri tek bllokimi i hipotekës së shtëpisë. Ndryshe nga sa ka funksionuar deri më tani, kur administratori merr pagesën pa faturë dhe ku shumica e pallateve nuk kanë fare administrim, me këtë projektligj të ri, fatura e administrimit do të jetë titull ekzekutiv.
Administrimi me ligjin e ri, nis brenda 12 muajve nga hyrja në fuqi e miratimit të tij për ndërtesat e ndodhura në qytetet me mbi 10.000 banorë; brenda 16 muajve nga hyrja në fuqi për ndërtesat e ndodhura në komplekse; brenda 24 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji për të gjithë ndërtesat e tjera.