Për të lajmet ishin të tjera deri tani. Mario Mitaj pritej të diskutohej për një kalim në Angli, ndoshta tek Bornmuthi, por ja që situata në Al Itihad qenka tjetër.
E përditshmja “Al Rijad” shkruan se mbrojtësi I kombëtares shqiptare ka kërkuar garanci për të vazhduar në klub.
Cila është kjo garanci?
Mitaj ka biseduar me drejtuesit dhe ka deklaruar se dëshiron të jetë titullar fiks në ekip, ndryshe do të kërkojë të largohet.
Një kërkesë disi e habitshme, sepse 21-vjeçari ka qenë titullar në 18 nga 18 ndeshjet që ka luajtur në Ligën Profesioniste Saudite, pra në të gjitha.
Gjithsesi, gazeta arabe thekson diçka, atë që drejtuesit e klubit kanë dyshime për garancitë fizike të shqiptarit, I cili u dëmtua disa herë edicionin e kaluar, dhe humbi 12 ndeshje në kampionat për këtë shkak.
Mitaj ka kontratë me Al Itihadin deri në 2028, pra nuk do të jetë e lehtë që të ndryshojë ekip, në një kohë që mediat saudite shkruajnë se ende nuk ka ndonjë ofertë zyrtare për të.
I rëndësishëm është fakti që trajneri Loran Blan e vlerëson shumë dhe e do në ekip.
Në vitin sportiv që u mbyll pak javë më parë, mbrojtësi I kombëtares fitoi titullin kampion si dhe Kupën e Mbretit, shënoi një gol e shërbeu 2 asistë, dhe ishte një nga lojtarët më të vlerësuar të Al Itihadit.