Ish-myftiu i xhamisë së Tiranës, Hysni Gurra, ka thënë se rasti i mjekut Dervish Hasi, që ishte i martuar me disa gra, përfshirë një të mitur, për fat të keq nuk është i izoluar. Gurra tha se një grup i tillë pseudoislam, vepron jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Kosovë dhe Itali, duke legjitimuar martesat në poligami.
“Ky nuk është rasti i parë, dhe kam frikë se nuk do të jetë rasti i fundit. Dëshiroj ti bëj një apel policisë së shtetit dhe sidomos shërbimeve, para disa muajve kemi bërë një thirrje për disa grupime që po veprojnë së fundi në Shqipëri dhe në Kosovë që janë shumë të hapur në raportet e martesave poligame. Për fatin e keq janë derivat, janë pseudoislam, është një realitet i dhimbshëm dhe i frikshëm. Kanë operuar edhe në Itali”, tregoi ish-myftiu në Euronews.
Gurra tha se ka hoxhallarë në Shqipëri që kurorëzojnë martesa poligame në xhami.
Gjatë ditës së djeshme, opinion publik u trondit nga rasti i mjekut Dervish Hasi, 42-vjeç me profesion kardiokirurg, i cili prej dy vitesh ishte në një marrëdhënie me një 16-vjeçare, si dhe kishte 3 gra të tjera, me të cilat ishte i martuar.
Prindërit e vajzës, e cila ka qenë vetëm 14 vjeç në nisje të kësaj lidhje, kanë qenë në dijeni të këtij skandali, madje ata me dëshirën e tyre ja kishin dhënë vajzën mjekut, me pretendimin se ai do të martohej me të, dhe se ajo do të ishte gruaja e tij e katërt.
Mësohet se 42-vjeçari kryente marrëdhënie seksuale në grup dhe krijonte video porno. Nga sekuestrimi i aparatit celular, policia zbuloi se të 4 personat kishin hapur një ‘chat’ grup, ku shkëmbenin mesazhet dhe videot që prodhonin së bashku.